Arbëri

Bie drastikisht numri i votuesve nga Serbia të regjistruar për zgjedhjet

Foto: Driton Paçarada / Koha

95.85% për qind më pak votues nga Serbia janë regjistruar për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Nga 4 mijë e 337 aplikacione sa ishin aprovuar në zgjedhjet e vitit 2019, sipas KQZ-së, sivjet kanë arritur vetëm 209 aplikacione, 180 prej të cilave janë aprovuar.

KQZ-ja thotë se procedurat e verifikimit të aplikacioneve ka qenë i njëjtë sikur i atyre nga diaspora.

“Zyrtarët shërbimit votues kanë shqyrtuar secilin aplikacion që ka ardhur nëse kanë plotësuar kriteret e sigurisë juridike dhe natyrisht pastaj edhe nga qendra e thirrjeve janë bërë telefonata për të konfirmuar identitetin e këtyre aplikuesve", ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Votat e ardhura me vonesë nga Serbia në zgjedhjet e 2019-s u shkaktuan probleme institucioneve, me ç’rast mbi 3 mijë prej tyre u shpallën të pavlefshme.

Për disa nga fletvotimet, institucionet dyshonin se ishin të helmuara, pasi disa zyrtarë të KQZ-së kishin përfunduar në spital për shkak të reaksionit alergjik ndaj një substance, e cila gjendej në zarfe.

Posta e Kosovës dhe Posta e Serbisë nuk kanë marrëveshje për qarkullimin direkt të dërgesave. Për pasojë, fletëvotimet duhet të mbërrijnë në Kosovë përmes formave tjera.

“Ato grumbullohen në një apo disa pika në zyrat postare të Postës së Serbisë dhe në kufi, sigurisht në Jarinje e njoftojnë KQZ-në dhe në përcjellje të Policisë së Kosovës i bijnë në Postën e Kosovës, konkretisht në zyrën postare numër 6, ku e kanë të adresuar fahun postar”,ka deklaruar Ferki Maxhuni, koordinator i sektorit të Postës së Kosovës.

Periudha e votimit përmes postës ka filluar më 2 shkurt, ndërsa fletëvotimet nga jashtë Kosovës duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt.