Mbi 70 persona në gjykatore, Themelorja shkeli masat anti-COVID në rastin “Stenta 2”

Së paku 70 persona ishin të pranishëm në amfiteatrin e Ministrisë së Drejtësisë, ku është mbajtur seanca gjyqësore për rastin e njohur si “Stenta 2”.
Së paku 70 persona ishin të pranishëm në amfiteatrin e Ministrisë së Drejtësisë, ku është mbajtur seanca gjyqësore për rastin e njohur si “Stenta 2”.
Nga Pallati i Drejtësisë mbajtja e kësaj seance është zhvendosur në objektin e Ministrisë së Drejtësisë, për shkak të numrit të kufizuar të ulëseve në sallat e gjykimit në këtë objekt.
Kjo ndërtesë, që kap vlerën më shumë së 26 milionë euro, ka vetëm një sallë që zë më shumë se 20 persona, por është pamjaftueshme e madhe për rreth 40 të akuzuarit e kësaj afere.
Megjithatë, edhe zhvendosja e seancës në objektin e Ministrisë së Drejtësisë, sipas të akuzuarve dhe mbrojtësve, është në kundërshtim me vendimin e Qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit, pasi që në këtë hapësirë të mbyllur kishte më shumë njerëz sesa lejohen.
Seanca ishte e mbyllur për media.
Pas përfundimit të saj, kardiologu, Nexhmi Zeqiri, që është pjesë e aktakuzës, është revoltuar me gjykatën pse lejoi vazhdimin e këtij procesi në këto kushte.
“Marre. Nesër prapë kemi në ora 9:30. Ju lus që nesër me ardhë. Më çu inspeksionin te gjyqtarja. Kujt me ju anku”, ka thënë Zeqiri.
Avokati Arianit Koci, që përfaqëson në këtë procedurë të akuzuarin, Elfedin Muhaxhiri, thotë se ka kundërshtuar mbajtjen e kësaj seance, por kundërshtimi i tij nuk është marrë parasysh nga gjykata.
“Në momentin kur unë e kuptova që jemi mbi 50 veta në sallë, unë i kërkova trupit gjykues që menjëherë ta ndërpretë gjykimin, pasi që është vendimi i Qeverisë që nuk lejon mbi 30 persona që të jenë në një ambient të mbyllur, e informova edhe Policinë dhe ky propozim i imi u refuzua menjëherë nga ana e trupit gjykues, madje mendova që pas pauzës do ta shtyjë këtë gjykim, por e vazhduam dhe prapë edhe për nesër e kemi ftesën”, ka deklaruar Koci.
Ka rreth një vit që nuk është mbajtur seancë gjyqësore në këtë proces për shkak të situatës epidemiologjike.
Aktakuza në këtë rast është ngritur qe gati 5 vjet dhe ngarkon rreth 60 persona, kryesisht mjekë të sistemit publik me vepra që lidhen me korrupsion.
Gjykimi është i ndarë në 3 procese të ndryshme. Përderisa “Stenta 1” ende nuk ka filluar në fazën e rigjykimit, në “Stenta 3” ku të akuzuar janë përfaqësuesit e spitaleve private konsiderohet që zyrtarisht nuk ka ende asnjë seancë të përfunduar.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.