Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka bërë apel pas paraqitjes së rasteve me variantin e ri të virusit SARS CoV-2 në Kosovë.
Nga IKSHPK-ja është bërë thirrjet të ndalohen tubimet, të respektohen në mënyrë rigoroze masat kufizuese në aktivitete publike e po ashtu kufizim i veprimtarisë së punës jo-esenciale.
Gjatë javës është raportuar për tri raste me variantin britanik të koronavirusit, që thuhet se është më ngjitës dhe shkakton më tepër komplikime.
“Rekomandojmë edhe një herë: të qëndrohet në shtëpi dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme, të ndalohen në mënyrë rigoroze takimet me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike, të ndalohen rigoroz tubimet, të respektohen në mënyrë rigoroze masat kufizuese në aktivitetet publike, kufizimi i punës për veprimtarët jo-esenciale dhe vendngjarjet, duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës”, thuhet në njoftim të IKSHPK-së.
“IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë”, thuhet nga IKSHPK-ja. "Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës".
Në ditët e fundit janë parë tubime të shumta të partive politike, pa u respektuar masat. Disa prej partive janë gjobitur nga komuna e Prishtinës.