Arbëri

Rikthehen vërshimet në Kosovë, paralajmërohet vazhdim i kësaj situate

Descriptive Text

Prishtinë, 30 janar – Jo pak telashe kanë pasur të shtunën me vërshimet banorët e lagjeve në kryeqytet. Situatë më e rënduar ka qenë në “Prishtinën e Re” dhe në “Veternik”, përderisa në Komunën e Prishtinës ka pasur vërshime edhe në Matiçan, në fshatrat Bërnicë e Poshtme dhe Barilevë. Përmbytje ka pasur edhe në Lipjan, Drenas, Vushtrri, Prizren, Fushë-Kosovë e Graçanicë. Vërshimet, siç ia ka konfirmuar KOHËS Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, janë rikthyer edhe në rrugët Prishtinë-Ferizaj e Prishtinë-Lipjan.

Ndonëse këto vërshime nuk janë më të mëdha se ato të fillimit të muajit, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se situatë e tillë mund të ketë përsëri.

“Kësaj situate i ka kontribuar ngritja e temperaturave, ku si pasojë ka ardhur deri te shkrirja e shpejtë e borës, sidomos nëpër viset kodrinore dhe malore, duke shkaktuar organizimin e shpejtë të rrjedhave ujore dhe paraqitje të vërshimeve të shpejta. Kjo situatë pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, prandaj lumenjtë do të kenë ngritje graduale”, ka shkruar IHMK-ja në komunikatën e saj.

Afërsisht 15 objekteve të banimit u janë vërshuar garazhet e katet e para të shtëpive në lagjen “Prishtina e Re” në pjesën e poshtme të “Veternikut”.

Sipas Agim Selmanit, banor i kësaj lagjeje, infrastruktura është shkaktar i vërshimeve.

“Problemi kryesor është shtrati i lumit. Këtu devijimi që bëhet nuk është i ndërtuar me standarde dhe nuk mund ta kapërdijë kapacitetin e ujit”, ka thënë ai.

KOHA ka kontaktuar drejtoreshën e Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës, Medina Braha, gjatë së shtunës por nuk ka marrë përgjigje.

Fqinji i Selmanit, Ismajl Hoxha, është bllokuar me veturë në ujë në mëngjesin e 30 janarit.

“Prej garazhit kaloi edhe në shtëpi, deri në shkallën e fundit kishte arritur uji. Dola t'i heq veturat në orën 6:00 të mëngjesit që të mos dëmtohen. Kur erdha këtu mbeta, u bllokova”, ka thënë Hoxha, i cili u largua prej aty pas ndihmës nga ekipi i zjarrfikësve.

Zyra e Kryeministrit në detyrë të shtunën kishte njoftuar për gjendje të rëndë nga vërshimet edhe në komunat e tjera në Kosovë.

Derisa vetëm Gjilani ka llogaritur 1.5 milionë euro dëme nga vërshimet e fillimit të muajit, të dëmtuara janë mbi dhjetë komuna, Qeveria në detyrë për KOHËN e ka konfirmuar se deri më tani vetëm 1 milion euro janë ndarë për kompensime nëpër komunat e Kosovës në bazë të vendimit të 21 janarit.

Të enjten, Ministria e Pushtetit Lokal (MPL), pa treguar nëse është formuar ndonjë komision për vlerësimin e aplikacioneve të komunave, ka thënë se po i përgatit kriteret.

“Pas hartimit të kritereve, komunat do t’i dorëzojnë kërkesat e tyre së bashku me raportet e vlerësimit të dëmeve nga komisionet komunale. Këto kërkesa së bashku me raportet e vlerësimit do të verifikohen dhe konfirmohen nga Komisioni ndërministror, i cili do të bëjë edhe ndarjen e mjeteve buxhetore për komunat e prekura”, kishte shkruar MPL-ja në një përgjigje për KOHËN.