Arbëri

Kushtetuesja, adresa e fundit e partive në rast të mosmiratimit të ankesave të tyre

Descriptive Text

Gjykatës Kushtetuese pritet t’u drejtohen subjektet politike, në rast se Supremja nuk i miraton ankesat e tyre për moscertifikim të kandidatëve. Megjithatë, ankesat e tyre në këtë gjykatë nuk pritet të kenë ndonjë efekt mbi procesin zgjedhor, nëse Kushtetuesja nuk vendos paraprakisht masë të përkohshme. E miratimi i kërkesës për një gjë të tillë, sipas njohësve, vështirë se do të ndodhë

Për dallim prej një dite më parë, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përmendur të enjten kërkesën e mundshme për masë të përkohshme nga Kushtetuesja.

Pas dorëzimit të ankesës në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sipas të cilit Vetëvendosjes nuk duhet t’i certifikohen pesë kandidatët e dënuar me vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, në mesin e të cilëve edhe bartësi i listës, Albin Kurti, zyrtari ligjor i kësaj partie, Blerim Sallahu, kishte paralajmëruar se do të kërkohej masë e përkohshme nga Kushtetuesja, përmes së cilës do të pezullohej procesi zgjedhor deri në marrjen e një vendimi për çështjen e ngritur.

“Patjetër që do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar masë të përkohshme për pezullimin e një vendimi të tillë”, kishte deklaruar Sallahu të mërkurën.

Por një ditë më vonë, Sallahu nuk e ka përmendur një gjë të tillë, duke mos dhënë shumë detaje. Përmes një përgjigjeje me shkrim, ai ka qenë i prerë se Supremja do të vendosë në favor të LVV-së, duke mos e thënë as edhe një fjalë për paralajmërimin e dhënë të mërkurën.

“Ne e kemi kontestuar vendimin e PZAP-së në Gjykatës Supreme, me bindjen se ai është i bazuar në konstatime dhe arsyetime të paqena. Me po te njëjtën bindje presim nga Gjykata Supreme që ta korrigjojë atë vendim të padrejtë të PZAP-së. Përpjekja e qëllimshme e KQZ-së e PZAP-së për ta veçuar nenin 29, germa (q) të Ligjit për Zgjedhje nga Kodi Penal i kohës, konkretisht nga neni 440 paragrafi 4 dhe neni 100 i shërben motivit politik për ta pamundësuar certifikimin e plotë të listës së LVV-së. Mbi këtë bazë ne besojmë që kjo gjykatë do të marrë vendim për ta certifikuar të plotë listën tonë, përfshirë këtu edhe pesë kandidatët e penguar nga vendimi i KQZ-së dhe PZAP-së, dhe kështu të përmbyllet kjo çështje”, shkruhet në përgjigjen e Sallahut, dhënë KOHËS.

Përveç Vetëvendosjes, se kanë bërë ankesë në Supreme e kanë konfirmuar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Partia e Ashkalinjve për Integrim. Nga AAK-ja kanë thënë se do ta zbatojnë vendimin e Supremes, duke lënë të kuptohet kësisoj se nuk do të ankohen në Kushtetuese, ashtu siç ishte paralajmëruar nga LVV-ja.

Njëri nga kandidatët e AAK-së për deputet, Shemsedin Dreshaj, e për të cilin PZAP-ja vendosi se nuk mund të certifikohej, ka thënë se jo gjithherë ligjet iu konvenojnë.

“Supremja do të marrë vendim dhe vendimi unë shpresoj që do të jetë në favor timin, për shkak se lënda është e vjetruar, pra ka qenë një aksident rrugor zinxhiror, jo vetëm unë i përfshirë. Por, vendimet e tyre do të jenë të respektueshme dhe të pranueshme për mua si individ dhe kandidat për deputet, por njëkohësisht edhe për shtëpinë tonë”, ka thënë ai gjatë një konferencë për media, të enjten.

Mundësinë e vendosjes së masës së përkohshme, përmes së cilës do të pezullohej procesi zgjedhor, nuk e hedhin poshtë as njohësit e drejtësisë. Megjithatë një gjë e tillë, sipas Yll Zekajt, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka pak gjasa të ndodhë.

“Gjykata së pari duhet të vendosë për pranueshmërinë e kërkesës. Ajo po ashtu ka të drejtë të vendosë edhe një masë për pezullimin e procesit zgjedhor, deri në marrjen e një vendimi, duke u dhënë të drejtën këtyre kandidatëve apo duke ua refuzuar kërkesën si të pabazuar. Ndonëse mundet edhe ta ndryshojë vendimin e vet, në 99 për qind të rasteve edhe Kushtetuesja bazohet në praktikën e krijuar përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që nënkupton t’i referohet edhe vendimit të fundit”, ka thënë Zekaj.

Ai i është referuar aktgjykimit të fundit të Kushtetueses, përmes të cilit u ndalohet kandidimi në zgjedhje të gjithë personave të dënuar me vendim të prerë në tre vjetët e fundit.

Të shtunën bëhen 72 orë nga dorëzimi i ankesave të subjekteve politike në Supreme ndaj vendimit të PZAP-së, për moscertifikimin e disa prej kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit. Me shqyrtimin dhe vendosjen për këto ankesa përmbyllet edhe procesi ankimor, që nënkupton hapjen e rrugës për KQZ-në për veprimet e mëtutjeshme, si tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike më 1 shkurt, dhe nisjen e fushatës më 3 shkurt.