Arbëri

Specialja përmend ndikimin e Thaçit në krijimin e Qeverisë Hoti

Vota e ish-deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, pro krijimit të Qeverisë Hoti është përmendur edhe në dokumentet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në arsyetimin për vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin Hashim Thaçi, kjo instancë ka përmendur ndikimin e tij për formimin e kësaj qeverie.

Deputeti Shala ishte deklaruar kundër votimit të Qeverisë Hoti, por një natë para se të mbahej seanca e Kuvendit, ai kishte ndërruar mendje pasi ishte vizituar në shtëpi nga Thaçi dhe ish-kryeministri Haradinaj.

Ndonëse në njoftimin e Gjykatës për vazhdimin e paraburgimit për Thaçin dhe të tjerët nuk është përmendur argumentimi i ZPS-së, avokati i ish-drejtorit politik të UÇK-së, David Hooper, në parashtesën kundër prokurorisë ka thënë se Thaçi nuk ka të bëjë asgjë me krijimin e Qeverisë Hoti.

Aty përmendet edhe dekretimi i djalit të Haxhi Shalës, Flakron Shala, në konsull të përgjithshëm në Pragë, për të cilin ka raportuar KOHA.

Por një çështje të tillë Hooper e ka cilësuar politike e që nuk ka të bëjë asgjë me akuzat kundër Thaçit.

“Thaçi nuk kishte ndonjë lidhje me emërimin e Haxhi Shalës. Ashtu siç prokuroria mund të jetë në dijeni, emërimi nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje. Emërimi i djalit të tij në pozicionin e konsullit të përgjithshëm u bë nga ‘ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës’ në Kosovë, i cili vjen nga e njëjta parti si z. Shala, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ’, e cila ishte pjesë e Qeverisë që z. Shala e ndihmoi në zgjedhje. Kjo është një çështje e politikës së brendshme, e cila është e parëndësishme për rastin”, thuhet në parashtresën e Hooperit.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake, Nikolas Giju, ka refuzuar parashtresën e mbrojtësve dhe ka vazhduar edhe për dy muaj për Thaçin dhe të tjerët. Giju ka përsëritur arsyet se pse Thaçit i vazhdohet paraburgimi. Zbutja e dënimeve për Shpresim Ukën dhe Bekim Sylën pak ditë para se të jepte dorëheqje nga posti i presidentit përmendet si njëra nga arsyet.

“Gjykatësi paraprak konsideron më tej se [REDAKTUAR], [REDAKTUAR], demonstron më tej një shkallë të tillë të ndikimit dhe kontrollit Prandaj, të marrë së bashku, këta faktorë më tej kontribuojnë në rrezikun e pengimit të mbarëvajtjes së procedurave nga z. Thaçi”, shkruan në vendimin e Gijus.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë pjesë e një aktakuze të përbashkët për krime lufte gjatë viteve 1998-1999. Ata po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit të kaluar.

Image