Arbëri

Dëshpërimi i britanikëve me institucionet kosovare në lidhje me procesin e rekrutimeve

Descriptive Text

Jeton Mehmeti nga instituti GAP, ka folur edhe për ndihmën që jep Ambasada britanike në Prishtinë në procesin e rekrutimit për pozita të ndryshme, por edhe për dëshpërimin që kanë marrë britanikët pasi nuk janë përfillur rekomandimet e tyre.

Mehmeti, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se në katër vitet e fundit, britanikët kanë marrë pjesë në rekrutimit e zyrtarëve për 85 pozita, në nivel qendror dhe lokal, ndërkohë që me memorandumin e fundit, ata do të ndihmojnë në rekrutimin e zyrtarëve për 12 pozita.

Mehmeti ka folur edhe për rastet kur rekomandimet e britanikëve nuk janë përfillur nga Kuvendi, gjë që ka çuar në kërcënimin e tyre se do të tërhiqen nga ky proces.

“Në memorandumin aktual janë vetëm 12 pozita, për të cilat janë dakorduar që të ndihmojnë britanikët, me gjithë pandeminë. Ata janë shprehur të gatshëm që të ndihmojnë në forma virtuale në procesin e rekrutimit. Por në të paktën dy raste ku ata kanë dhënë rekomandimet, nuk kanë shkuar gjërat ashtu siç duhet. Për shembull rasti i mosemërimit të komisionierit në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ku britanikët tri herë kanë marrë pjesë në procesin e rekrutimit, kanë ofruar më të mirët dhe Kuvendi nuk i ka marrë parasysh ato. Kjo ka çuar në një reagim tepër të ashpër të britanikëve që kanë thënë se më nuk do të ndiohmojnë. Rasti tjetër ka të bëjë me zgjedhjen 5 anëtarëve, me shërbyesit civilë. Megjithëse janë marrë rekomandimet e tyre, nga pesë të përzgjedhurit ka pasur të atillë që nuk kanë qenë në rangim më së larti. Vet ky memorandum shpreh qartë se institucionet tona do të marrin parasysh personat e ranguar më së larti”, ka thënë Mehmeti.