Arbëri

Mbrojtja kërkon lirimin e përkohshëm të Thaçit, kundërshton krahasimin e tij me Karaxhiqin

Descriptive Text

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar lirimin e përkohshëm të tij, me kushtet që i cakton gjykatësi i procedurës paraprake.

Avokati mbrojtës i Thaçit, David Hooper, është përgjigjur ndaj parashtresave të prokurorit Jack Smith.

Hooper ka thënë se është fatkeqësi që në parashtresat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar po bëhen krahasime me figura të njohura ndërkombëtare që kanë përdorur resurset për t’i ikur drejtësisë, në mesin e tyre edhe ish-presidenti i Republikës Srpskas, Radovan Karaxhiq.

“Është fatkeqësi që në parashtresën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar po bëhen krahasime me figurat e njohura ndërkombëtare që kanë përdorur resurse për t’i ikur drejtësisë. Ndryshe nga presidentët Habre, Karaxhiq e Taylor, që me të mësuar se ka aktakuzë të konfirmuar ndaj tyre kishin ikur, z. Thaçi ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës dhe është lidhur me avokatët e tij dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar për t’u dorëzuar, dhe është dorëzuar”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Hooperit.

Ai ndër të tjera ka cekur edhe se si Thaçi ka mbrojtur të drejtat e minoriteteve në Kosovë, ka cekur nderimet që ka bërë Thaçi për viktimat serbe në Kosovë, vizitat në varrezat e serbëve në Gjilan. E po ashtu edhe për postimin e tij në Facebook, që ka kundërshtuar protestat para Kishës ortodokse serbe në Prishtinë dhe dhunën e manifestuar më 17 shtator të vitit 2016.

Është thënë se Thaçi kishte dalë në mbrojtje, duke thënë se nuk duhet toleruar dhunën ndaj këtyre objekteve, veçanërisht kur u takojnë komuniteteve fetare.

E nga Hooper është thënë se shkaku i këtij postimi Thaçi ishte kritikuar ashpër në seancë në Kuvend të Kosovës më 29 shtator të vitit 2016, e ndër të tjera ka përmendur një kritikë nga Glauk Konjufca i VV-së.