Arbëri

Haradinaj: PZAP-ja shkeli vendimin e Kushtetueses

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se PZAP-ja ka shkelur në mënyrë flagrante vendimin e Kushtetueses, të KQZ-së dhe të drejtën themelore për kandidim me moscertifikimin e Shemsedin Dreshajt.

Haradinaj ka thënë se afati trevjeçar nga dënimi i Dreshajt, ka skaduar më 16 janar, ndërsa afati i dorëzimit të listave është përmbyllur më 18 janar.

Haradinaj ka thënë se AAK-ja, do t’i drejtohet Supremes për rastin e Dreshajt.

“Me gjithë përkushtimin e Aleancës që të respektojë procesin e certifikimit të kandidatëve, sot jam i shqetësuar me shpërfilljen e skajshme, që PZAP-ja i ka bërë fakteve në rastin e Dr. Shemsedin Dreshajt. Vërejtja gjyqësore që Dr. Dreshaj ka marrë para 3 viteve është konsumuar me 16.01.2021 përderisa afati i dorëzimit të listave është përmbyllur me 18.01.2021 dhe KQZ morri vendim që afati 3 vjeçar të përcaktohet me datë të certifikimit. Me gjithë konsumimit trevjeçar të përcaktuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe vendimit të KQZ-së për lidhjen e afatit me certifikim, PZAP ka shkelur në mënyrë flagrante Vendimin e Kushtetueses, Vendimin e KQZ-së dhe të drejtën themelore për kandidim. Aleanca do t’i drejtohet Supremes për rastin e Dr. Dreshaj dhe mbesim me besim të plotë që ky vendim i padrejtë i PZAP do të hidhet poshtë. Tendencat për qasje selektive edhe kur respektohen institucionet siç ndodhi sot me zëvendësimin e tre kandidatëve që bëri Aleanca, shpërfaq një orkestrim për dëmtim të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.