Arbëri

Rikthehen vërshimet në vend

Pas reshjeve të fundit atmosferike disa komuna të Kosovës janë vërshuar.

Deri tash për vërshime ka njoftuar Komuna e Podujevës në një pjesë të qytetit te Lagja “Shala” dhe “Tovërlanët” ku si pasojë e ngushtimit të shtratit të përroskës dhe daljes së saj nën rrugën magjistrale uji ka vërshuar. Gjithashtu është prekur edhe lagja “Kërtokët” pasi përroska që kalon andej ka dalë nga shtrati.

Gjithashtu edhe Komuna e Malishevës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të mëdha të shut dhe borës, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati duke bërë që disa rrugë të kësaj komune të bllokohen. Siç ka njoftuar komuna, është bllokuar rruga Mirushë-Gurbardh, ndërsa vështirësi ka në akset rrugore Malishevë-Kijevë, Malishevë-Banjë dhe Turjakë-Bubël.

Gjithashtu të prekura janë edhe disa zona të Komunës së Gjakovës.

Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe borës kanë shkaktuar ngritje të nivelit të ujit në disa zona të Drenasit gjithashtu.

Si pasojë e kësaj gjendje, ura e dëmtuar në lagjen Avdyli në Dobroshec është bërë e pakalueshme.

“Po ashtu, si pasojë e vërshimeve që kanë përfshirë vendin këto ditë, në vazhdimësi po dëmtohen urat. Ekipet përkatëse emergjente janë në vendin e ngjarjes dhe po monitorojnë situatën”, thuhet në njoftimin e komunës.

Për shkak të reshjeve ka pasur vërshime në disa komuna të Kosovës në javën e parë të janarit.