Arbëri

Rreth 1 milion e 380 mijë shtetas të Kosovës vizituan Shqipërinë në vitin 2020

Rreth 1 milion e 380 mijë shtetas të Kosovës vizituan Shqipërinë në vitin 2020
 

Numri i qytetarëve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë për vitin 2020 është 1.379.360 persona. Megjithëse me një rënie prej 38.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve të saj në Shqipëri për vitin 2020. Ndërkohë që në muajt e vjeshtës, por edhe në ato të fillim dimrit, numri i qytetarëve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë ka pas rritje, krahasuar me muajt e verës. Qytetarët nga Kosova i kanë bërë sfidë pandemisë kur ka ardhur puna për të udhëtuar në Shqipëri.

Befasia ka vazhduar edhe në muajin dhjetor, ku shifrat kanë njohur një rritje me 13.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, kohë në të cilën jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota nuk ka qenë e përfshirë nga COVID-19. Në bazë të shifrave të publikuara nga INSTAT(Instituti Shqiptar i Statistikave) në muajin dhjetor të vitit 2020 kanë hyrë në Shqipëri 85.648 shtetas nga Kosova, krahasuar me 75.211 shtetas të Kosovës që kanë hyrë në dhjetorin e vitit 2019. Ndërkohë që edhe për vitin 2020, është shënuar një rënie me 38.6%, krahasuar me vitin 2019, por që llogaritet më e ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit e Europës.