Arbëri

Dedaj thotë se është kontaktuar nga Specialja

Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka thënë se të premten në mbrëmje është kontaktuar nga prokurori i Gjykatës Speciale në Hagë.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se qëllimi i thirrjes ka qenë “të më njoftojnë me caktimin e prokurorit të rastit”, por ka shtuar se kjo u bë pa specifikuar për çfarë rasti bëhet fjalë.

Ka thënë se është pyetur se a ka pasur ndonjë kërcënim apo shqetësim.

“I thash s’kam pasur dhe nuk kam asnjë kërcënim nga askush, e për sa i përket shqetësimeve, ia përmenda shqetësimet e mia me rastin e infektimit tim dhe të gjithë anëtarëve të familjes sime me virusin COVID-19, gjatë muajit të kaluar. Njëkohësisht i vura në dijeni se shqetësimi i yni më i madh, tash e 22 vjet, është edhe moszbardhja e krimit serb mbi dhjetëra anëtarë të familjes sime, si dhe moszbardhja e masakrës së Mejës së Gjakovës, ku forcat serbe, më 27 prill 1999, vranë mizorisht mbi 380 civilë shqiptarë të pafajshëm, ndonëse askush nuk është arrestuar nga serbët, për këtë masakër kundër njerëzimit”, ka shkruar ai teksa ka ashtuar se është i gatshëm t’u përgjigjet ftesave të Speciales “për të dëshmuar luftën epike të drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së, për vetëmbrojtje, liri, drejtësi, barazi dhe pavarësi”.