Arbëri

Ministri Zemaj tenton t’i shkarkojë bordet e padëgjueshme

Përderisa konkursi për drejtor të SHSKUK-së ka hyrë në fazën përfundimtare, ky institucion rrezikon të mbetet pa bord mbikëqyrës.

Ministri në detyrë, Armend Zemaj, siç ka mësuar KOHA, rreth një javë më parë ka propozuar shkarkimin e bordit të SHSKUK-së.

Siç kanë thënë burimet, kërkesa e Zemajt për shkarkimin e bordit është bërë pasi ata kanë vendosur për ndërrimin e Komisionit për zgjedhjen e drejtorit të ri. Njëri nga anëtarët që është ndërruar, është edhe këshilltari i Zemajt, Diellor Rizaj.

Bordi këtë vendim e ka marrë pas raportimit të KOHËS, për konflikt potencial interesi të këshilltarit të Zemajt.

Në ditën që është vendosur shkarkimi i tij, Zemaj ka propozuar ta ndërrojë bordin, por që ky propozim ende nuk ka dalë në Qeveri, për shkak se shkarkimi i bordit duhet të votohet nga kabineti qeveritar. Komisioni teknik ka hartuar listën e ngushtë për drejtor të ShSKUK-së. Pjesë e kësaj liste janë Saudin Maliqi ish-këshilltar i ministrit Zemaj, Gani Halilaj ish-deputet i DK-së, Basri Lenjani pjesë e AAK-së e Driton Ukmata ish-këshilltar i Basri Sejdiut, i zgjedhur në kohën e ish-ministrit Uran Ismaili.

Pjesë e garës ishin edhe Valbon Krasniqi pjesë e LDK-së dhe Gloria Staka. Siç kanë thënë burimet, Krasniqi është eliminuar nga gara, sepse nuk i është njohur përvoja menaxheriale si drejtor i Shëndetësisë. Përvoja menaxheriale si prodekane e fakultetit nuk i është njohur as Gloria Stakës.

Por, ky nuk është institucioni i vetëm shëndetësor ku Zemaj po tenton të bëjë ndryshime.

Armend Zemaj është anëtar i Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në cilësinë e anëtarit të Bordit, ai ka propozuar shkarkimin e drejtorit të këtij institucioni, por anëtarët, siç është mësuar nga burimet, kanë refuzuar ta bëjnë një gjë të tillë.

Pas dështimit për shkarkimin e Plakiqit, Zemaj ka tentuar ta ndërrojë bordin.

Burime nga SHSKUK-ja i kanë thënë KOHËS se Zemaj dy herë përmes e-mailit ka kërkuar tre emra për propozime për anëtarë të rinj të këtij bordi, por propozimet nuk ka arritur t’i fusë në rend të ditës në mbledhjen e Qeverisë.

KOHA e ka kontaktuar ministrin Zemaj. Ai ka kërkuar që pyetjet t’i drejtohen me shkrim, por nuk ka kthyer përgjigje.

KOHA ka raportuar në vazhdimësi për dyshimet që janë ngritur për konkursin për drejtor të SHSKUK-së.