Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, përjashton mundësinë që të ndiqet rruga e Sindikatës së Arsimit, që kërcënoi me grevë nëse nuk merr shtesën për “punën shtesë gjatë pandemisë”.
Bëka në Express Intervistë tha se misioni i zjarrfikësve është i shenjtë dhe nuk bën të kërcënohet me grevë.
Ai tha se zjarrfikësit janë të dëshpëruar, për atë që panë sot, kur Qeveria e Sindikata e Arsimit nënshkruan marrëveshje për mjete shtesë, për pagë të 13-të dhe shujtë ditore duke nisur nga viti 2023.
Beka tha se anashkalimi, denigrimi e diskriminimi po vazhdon tash e sa vite.
“Jemi të shokuar me vendimin e sotëm mes Qeverisë e SBASHK-ut. Jemi anashkaluar sërish. Pakënaqësitë tona fillojnë e datojnë me dekada, por ajo që ndodhi sot ishte diskriminuese, ishte një dëshpërim, një vazhdimësi e anashkalimit që u bëhet zjarrfikëseve. Vendimi qeverisë për t’i ndarë mjete SBASHK-ut, është i papranueshëm”, tha ai.
Beka tha se asnjë kryeministër e asnjë qeveri nuk u ka dal zot kërkesave të zjarrfikëseve. Gjithnjë sipas tij, u është thënë se nuk ka mjete.
Ai është ankuar jo vetëm për mungesë të statusit, por edhe për pajisje të dobëta, për mungesë të gradimeve e të stafit.
“Ne asnjëherë nuk kemi shantazhuar, kërcënuar, kemi kryer punën, edhe pse kemi qenë të përbuzur të denuigruar, të gjithë e dinë këtë”, ka thënë ai, duke shtuar se Sindikata e Arsimit po shantazhon me kërkesat e saj të vazhdueshme.
“Nëse nxjerrin kushte çdo vit, atëherë është shantazh, por është e drejtë e tyre”, tha ai.
Ai është ankuar edhe për përjashtim nga pakoja e fundit e rimëkëmbjes.
Thotë se sot gjithsej janë 800 zjarrfikës, përfshirë edhe inspektorët e parandalimit, e sipas tij, bazuar në numrin e banorëve që ka Kosova, duhet të jenë edhe 600 të tjerë.
“Misioni i shpëtimit është i shenjtë, zjarrfikëset janë në kategori të lartë të rrezikut, ne nuk kemi kërcënuar e shantazhuar, e kemi kryer punën me nder, kemi bërë kërkesa sipas ligjit për sindikatat, duhet të diskutohet e të zgjidhet problemi. Shumica e komunave kanë nga tre zjarrfikës. Po ashtu, zjarrfikësit kanë pagat më të ulëta në nivel vendi, sillen nga 287 deri në 327 euro”, shtoi ai.