3 perditesime
23:34

Peci: Punësimi në Kryeministri i “agjentit të AKI-së”, rrezik për sigurinë nacionale

Faton Peci, shefi i kabinetit të ushtrueses së detyrës së presidentit, e ka quajtur skandal të madh rastin e punësimit të "agjentit" të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në Zyrën e Kryeministrit.

KOHA sot ka raportuar se njeriu që ishte prezantuar si agjent i AKI-së, e i cili kishte tentuar të marrë dokumente top-sekrete nga kasaforta e Presidencës, është punësuar në Zyrën e Kryeministrit.

Peci tha se punësimi i tij tashmë jo vetëm që cilësohet ndërhyrje e paautorizuar, por edhe rrezikim i sigurisë nacionale.

“Kjo përbën një skandal të madh pas tentimit të marrjes së dokumenteve nga kasaforta. E kemi raportuar në këtë fazë rastin si ndërhyrje të paautorizuar, ndërsa tash skandali ka marrë përmasa më të mëdha, nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje të paautorizuar, por tash kemi të bëjmë me rrezik të sigurisë nacionale”, tha ai në Interaktiv të KTV-së.

LEXO EDHE: Akomodohet në Kryeministri “agjenti i AKI-së”, që synoi ta hapte kasafortën e Presidencës

Ai përmend ish-shefin e AKI-së i cili kur ishte pyetur nga Osmani kishte mohuar të ketë qenë ndonjë agjent në dhomën e kasafortës.

“Ish-shefi i AKI-së ka mbrojtë tezen se është keqkuptim dhe nuk ka deklaruar se nuk ka qenë ndonjë agjent tjetër aty. Kemi të bëjmë me mashtrim dhe me një tentativë të vjedhjes së dokumenteve top sekrete të vendit, është skandal që ia qetë faqen e zezë Kosovës, mekanizmave të sigurisë”, tha ai.


Peci vë fajin te Hoti për mosemërimin e shefit të AKI-së

Shefi i kabinetit të ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, Faton Peci, tha se të premten është afati i fundit për emërimin e shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe se nëse, kjo nuk ndodh, atëherë ushtrimin e funksionit e merr zv.drejtori.

Peci tha se e gjitha është në duart e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, pasi Osmani ka nisur disa propozime.

Ai mohon se duhet të ndodh e kundërta, që presidentja të pajtohet me propozimet e kryeministrit.

“Ligji mbi Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, thotë se drejtori i ri AKI-së emërohet nga presidenti dhe kryeministri. Po e vë theksin këtu, se nuk thotë nga kryeministri e presidenti, por presidenti dhe kryeministri. Në rrethanat që ndodhemi aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka thënë se Qeveria është jolegale dhe jolegjitime, pavarësisht se është në detyrë për shkak të brishtësisë së situatës. Unë mendoj që kryeministri duhet të shqyrtojë propozimet që vijnë nga presidentja. Në kemi dërguar propozime te Hoti, është në dorën e kryeministrit për të zgjedhur shefin e ri të AKI-së”, ka thënë Peci.

23:28

Peci: Akterë të rëndësishëm institucionalë janë pjesë kapjes dhe krimit

Sipas Faton Peci, kandidat për deputet nga lista Vetëvendosje-“Vjosa”, duke e quajtur qasje kritike reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se “akterë të rëndësishëm institucionalë të Kosovës janë pjesë e kapjes dhe krimit”.

Të enjten, Daka përmes një konference për media u shpreh se ka marrë kërcënime edhe ndaj familjes së saj pas deklarimit të Glauk Konjufcës së VV-së se ajo po ia pamundëson kandidimin për deputet kreut të VV-së, Albin Kurtit. E, pas kësaj, Konjufca iu kundërpërgjigj se Daka po keqpërdor detyrën zyrtare duke e akuzuar se është vënë në shërbim të krimit të organizuar.

Peci në Interaktiv ka refuzuar ta cilësojë sulm deklarimin e VV-së ndaj Dakës.

“Mendoj se qasja kritike s’duhet të interpretohet sikur sulm. E dyta mendoj se të gjithë ata që janë në krye të institucioneve duhet të kenë parasysh që të respektojnë ligjshmërinë e të mos kenë qasje selektive karshi trajtimit të çështjeve me interes. S’po e konstatoj si të tillë, por që akterë të rëndësishëm institucionalë në institucione të rëndësishme të Kosovës janë pjesë e kapjes dhe krimit janë evidente. S’po them specifikisht për Dakën, por kushdo që flet për kapjen e shtetit e të krerëve institucionalë, kjo është evidente dhe po verifikohet çdo ditë”, ka thënë Peci.

Ai ka paralajmëruar se partia e Vjosa Osmanit do të regjistrohet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ka thënë se deri tash kanë vetëm Këshill nismëtar dhe për shkak të afateve kushtetuese për zgjedhjet e reja, e kanë pasur të pamundur të regjistrohen si subjekt.

23:19

Peci sheh ende mundësi që Kurti të garojë për deputet

Kandidati për deputet në radhët e VV-së, Faton Peci, vlerëson se nuk janë shterur të gjitha mundësitë dhe se nuk mund të thuhet tash që liderit të VV-së, Albin Kurti do t’i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Peci në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se Kurti, kur është dënuar me kusht para dy vjetësh e gjysmë, ishte në fuqi një Kod tjetër Penal.

KQZ-ja nuk ka certifikuar Kurtin dhe 46 kandidatë tjerë nga të gjitha partitë për zgjedhjet e ardhshme, me arsyetimin se në 3 vjetët e fundit kanë dënime të formës së prerë, bazuar në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses.

“Nuk janë ezauruar të gjitha mundësitë legale dhe ankimore. Në parim mendoj vendimi i Kushtetueses ka dalë përtej edhe interesimit për çka ishte lënda. E dyta, Kurti s’ka pas dënim me burgim, ka pas me kusht, Kodi Penal ka ndryshuar, mbi bazën e kësaj ka një parim, që efekti retroaktiv zbatohet vetëm kur është në favor të palës, kështu që dënimi me kusht nuk zbatohet në këtë rast”, ka thënë Peci.

Peci është në listën e VV-së si pjesë e Iniciativës Qytetare të Vjosa Osmanit.

23:10

Peci: Largimet janë bërë për shkak se në LDK nuk u janë përmbajtur parimeve të rugovizmit

Kandidati për deputet nga Lëvizja e Vetëvendosjes, Faton Peci, ka thënë se deklaratat e fundit të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, kur tha se rrugën e rugovizmit mund ta trashëgojnë vetëm ata që janë në LDK, janë pikëpamje vetëm të tij.

Ai ka komentuar edhe lëvizjet nga partia, si atë të Vjosa Osmanit. Thotë se lëvizjet janë bërë pikërisht për shkak të parimeve të rugovizmit të cilat nuk u janë përmbajtur anëtarët brenda partisë.

"Është pikëpamje moniste, gjithkush që e vlerëson figurën e Rugovës është për t’u vlerësuar dhe ka pasë lëvizje nga LDK-ja për shkak se parimeve të rugovizmit nuk u janë përmbajtur dhe tregu politik varion, ndryshon me kohë. Sa i përket deklaratave të Mustafës, është goxha indikative se si shumëkush merr guximin të flasë për rugovizmin, por për të diskutuar për rugovizmin duhet ditur për konceptin filozofik të lirisë së brendshme që Rugova e ka kultivuar në politikë", tha Peci në Interaktiv të KTV-së.

Ai tha se rugovizmi nuk duhet të shihet si vlerë e vetëm një partie.

“Rugovizmi nuk e shoh si që dikush e ka patentën e rugovizmit, çështja është që presidenti Rugova ka rritë që gjithë shqiptarët t’i bëjë bashkë, kushdo që e përfaqëson idetë, e pranon rolin dhe kontributin e tij, duhet shihet si vlerë dhe nuk duhet të shihet vetëm si vlerë nga një parti”, tha ai.