Arbëri

Zekaj e sheh absurd aktgjykimin që ia ndaloi Kurtit dhe të tjerëve kandidimin për deputet

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka cilësuar absurd aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përmes së cilit i është ndaluar kandidimi për deputet 47 personave, përfshirë kandidatit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në Deskun e KOHËS, Zekaj ka thënë se Kushtetuesja me aktgjykimin që të dënuarve për vepra penale në tri vitet e fundit me vendim të prerë t’u ndalohet kandidimi për deputet, ka disa “absurditete juridike”.

“Ne si Institut i Kosovës për Drejtësi kemi përcjellë vendimmarrjen në rastin e kërkesës së VV-së për ish-deputetin Etem Arifi. Praktikisht ky aktgjykim ka disa absurde juridike të shprehura mes ekspertëve dhe juristëve. Ky aktgjykim më shumë ka trajtuar nëse Kushtetuta është në pajtim me ligjin sesa e kundërta. Ajo e ka obligim nëse disa nene janë në përputhje me Kushtetutën dhe jo të kundërtën”, ka thënë ai duke shtuar se aktgjykimi bie ndesh me nenet e Kushtetutës se të gjithë qytetarët kanë të drejtë të kandidohen për t’u zgjedhur, pos nëse u ndalohet me vendim të gjykatave.

Sipas tij, vendimi ka qenë i papritshëm.

Duke u bazuar në këtë aktgjykim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të mërkurën se 47 kandidatë për deputetë nuk kanë të drejtë të kandidojnë.

Në anën tjetër, avokati Kushtrim Palushi ka thënë se me aktgjykim Kushtetuesja ka tejkaluar kërkesën e VV-së për votën e ish-deputetit të dënuar për vepër penale.

“Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja ka tejkaluar kërkesën e VV-së, por s’ka faj vetëm Kushtetuesja sepse kërkesa e VV-së s’ka qenë e qartë mjaftueshëm për t’u kufizuar vetëm në votën e deputetit. Madje gjykata konstaton edhe për kryetarin e Kuvendit, KGJK-në e të tjerat se këto institucione s’e kanë të qartë kur ai e ka humbur mandatin. E vërteta është se duke arsyetuar këto dy procese, e drejta për t’u zgjedhur deputet dhe humbja e mandatit si deputet janë pashkëpushmërisht të lidhura me njëra tjetrën”, ka shtuar ai.