Arbëri

Qeveria ndan buxhet për shtesat mujore për policët dhe punëtorët shëndetësorë

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të mbajtur sot ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve shtesë për, siç thotë ajo, angazhimin e shtuar në terren të zyrtarëve policor aktiv të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj pandemisë COVID-19,

Siç bëhet e ditur është miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 1.6 milion euro.

Ndërsa me një vendim tjetër janë ndarë 8 milion euro për kompensimin e shtesave mujore mbi pagën bazë për personelin aktiv shëndetësor për muajt janar, shkurt dhe mars të vitit 2021. Sipas njoftimit, ndarja e mjeteve do të bëhet sipas kategorizimit:

- Kategoria I – mjekë, iu ndahet shtesa prej 250 euro në muaj;

- Kategoria II – infermierë, iu ndahet shtesa prej 150 euro në muaj dhe

- Kategoria III – stafi mbështetës – teknik, iu ndahet shtesa prej 100 euro në muaj.

Siç njoftohet kabineti qeveritar ka aprovuar edhe vendimin për Planifikimin dhe Zbatimin e Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike Faza II-Masa 4 - Mbështetje Financiare për Projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi. Vendimi obligon Agjencinë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të zbatoj dhe monitoroj këtë plan.

Në fazën e dytë të këtij plani me buxhetin e akorduar në shumë 1 milion euro do të përdoret për mbështetjen e target grupeve siç janë:

· gratë dhe vajzat që zotërojnë bizneset të vogla private, prodhuese apo shërbimesh (gastronomi, pastrim, rrobaqepësi, larje, ngjyrosje e pastrim kimik, prodhime arti dhe artizanale të trashëgimisë kulturore (punime në argjend, veshje, prodhime artistike), lulishtari, etj.

· gratë dhe vajzat të organizuara në forma të biznesit të tilla si kooperativa, B2B (business-to-business) të cilat ndodhen në linjën e parë të zinxhirit te prodhimit dhe furnizimit me lëndë të parë të konsumatorit individual, tregtar dhe/ose atij industrial të prodhimit masiv

· individë fizikë, të cilët ndërmarrin nisma vetëpunësimi prej të cilave punësohen dhe sigurojnë mirëqenien familjare dhe/apo të të ardhurave për përmbushjen e nevojave bazike,

· gra dhe vajza nga grupe të caktuara shoqërore (me aftësi të kufizuara, nëna vetë ushqyese, punëtorë në tregun informal të punësimit, viktima të dhunës në familje apo viktima të dhunës seksuale të luftës, komunitete pakicë roma, ashkali, egjiptian, etj.

"Edhe vendimi për zbatimin e masës nr. 16, të për Skemat Pensionale dhe Sociale, të Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike, sipas vendimit Nr. 06/58 të datës 14.01.2021 ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Për këtë qëllim janë ndarë mjete ne shumën prej 21 milion euro. 7.5 milion nga këto mjete do të ndahen për dyfishimin e pagesave për ndihmë sociale ndërsa 13.5 milion për pagesën e shtesës prej 30 euro për skemat pensionale dhe sociale që marrin pagesa deri në 100 euro", thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu Qeveria ka njoftuar edhe për disa transferime në pozita të zyrtarëve të lartë. 

"Katër vendime janë aprovuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar për transferimin në pozita të zyrtarëve të lartë drejtues. Betim Reçica, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, transferohet në pozitën e kryeshefit në Agjencinë Kosovare të Standardizimit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë; Arton Berisha, ish-sekretar i përgjithshëm në ish-Ministrinë e Administratës Publike, transferohet në pozitën e drejtorit të përgjithshëm në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike; Kushtrim Cukaj, ish-sekretar i përgjithshëm në ish-Ministrinë e Integrimeve Evropiane, transferohet në pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë; dhe Hajriz Koca, ish-sekretar i përgjithshëm në ish-Ministrinë e Inovacionit, transferohet në pozitën e kryeshefit në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Me dy vendime të veçanta të miratuara nga kabineti qeveritar, ju është vazhduar mandati Ekrem Kastratit ne pozitën e Kryeinspektorit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në kohëzgjatje katër (4) vjeçare dhe Fatos Qerimit mandati i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit gjithashtu në kohëzgjatje prej katër (4) vitesh", thuhet në njoftim.