2 perditesime
23:32

Hoxha pro vettingut, “por shumë të matur”

Kandidati i LDK-së për deputet dhe ish-prokurori Sylë Hoxha është shprehur pro vettingut në sistemin e drejtësisë, por sipas tij kjo duhet të bëhet në mënyrë shumë të matur.

Ai ka thënë se duhet të ketë kujdes me një proces të tillë. Sipas tij, duhet të veprohet përmes mekanizmave të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

“Duhet të shkojmë me faza më të ngadalshme, ndoshta do të kishte efekt, por siç po promovohet nga disa, unë mendoj se do të dëmtohej sistemi i drejtësisë edhe më shumë. Sepse sa të jem për shembull prokuror deri të kryhet vettingu, do të rrija siç thotë populli ‘me vesh në krah’ se çka po ndodh me mua dhe nuk e kam pavarësinë dhe përkushtimin në punë. Me zgjatjen e procesit, rritet numri i lëndëve dhe vjen era e ndikimit dhe ‘peshqit e mëdhenj’ do të trashen edhe më shumë”, ka deklaruar ai në Interaktiv duke shtuar se për këtë proces “duhet të ketë njerëz me përvojë, të pavarur e që ia duan të mirën sistemit të drejtësisë”.

“Si nismë e përkrahi dhe duhet të ketë grupe punuese të ekspertëve, por shumë të matur që të mos dëmtohet sistemi. Tash nis vettingun e prokurori ka nisur që dy vjet punën. Çfarë t’i bëhet atij, është proces i vështirë. Ndoshta duhet të nisë nga eprorët e organit të akuzës”, ka shtuar ai.

Në fund, Hoxha ka folur edhe për rastin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që para pesë vjetësh gjeti vdekjen në rrethana të dyshimta në Qendrën e paraburgimit në Prizren. Ka thënë se në atë kohë kishte deklaruar se Dehari ka kryer vetëvrasje duke lexuar raportin e mjekësisë ligjore. Hoxha, që atë kohë ishte kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka thënë se ka pasur besim të plotë në rezultatet e ekspertizës vendore. Ka shtuar se s’ka ide se në çfarë faze gjendet tash ky rast.

23:14

Hoxha punoi edhe më parë me LDK-në, por sa ishte prokuror mohon të jetë ndikuar nga politika

Ish-prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, tash kandidati i LDK-së, Sylë Hoxha, mohon që gjatë karrierës së tij në sistemin prokurorial të ketë pasur ndikim nga ndonjë parti politike.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se ka punuar me LDK-në para luftës dhe pas luftës, siç tha, “falë vizionit largpamës të Rugovës”, e në një kohë ishte edhe zv.ministër i Drejtësisë, por shtoi se kur është futur në sistemin prokuroiral, atëherë ka qenë plotësisht i pavarur.

“Nuk ka pas ndikime, kush e ndien veten më të dobët, që thotë populli frikësohet prej hijes se vet, është tjetër, por nuk është kështu siç paraqitet. Kurrfarë ndikimi nuk kam pasur, as prej LDK-së e as prej partive tjera. Janë munduar me më sulmu përmes shtypit, po kurrfarë ndikimi nuk ka pasur, ndihem mirë, jam i relaksuar”, ka thënë Hoxha, që së fundi ishte edhe prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Hoxha ndërkohë komentoi edhe aktgjykimin lirues për Komisionin verifikues të statusit të veteranëve të UÇK-së. Ai pret që Prokuroria të bëjë ankesë.

“Konsideroj se Prokuroria ka me bë ankesë në atë aktgjykim dhe ka me ofru prova tjera”, ka shtuar Hoxha.

23:03

Ish-prokurori Hoxha tregon pse iu kthye politikës

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, në Interaktiv të KTV-së ka dhënë arsyet pse ka vendosur t’i kthehet politikës dhe të garojë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet.

“Falë zotit kam shëndet, elan që të punoj dhe mendova të aktivizohem që të punoj ende për këtë vend”, ka thënë ai si arsye pse ka vendosur që pas pensionimit nga puna në drejtësi të hyjë në politikë, ku thotë se kishte qenë aktivist i LDK-së qysh moti.

Ai ka shprehur bindjen se situata në Kosovë nuk është e mirë dhe “se me angazhimin tim besoj se mund të kontribuoj”.

Ka theksuar se në fushën e drejtësisë mund të japë kontributin e tij. E për këtë fushë ku ka punuar edhe si prokuror në Prokurorinë Speciale, ka thënë se ka nevojë për reforma.