Arbëri

Vaksina “CureVac”, që e ka porositur Kosova, nuk licencohet para qershorit

Vaksina kundër COVID-19 e kompanisë gjermane “CureVac’ është ende në fazë të provave klinike, dhe nuk është miratuar për përdorim.

E Kosova, e cila nuk ka filluar vaksinimin, ka porositur përmes shtetit të Austrisë rreth 600 mijë doza të kësaj kompanie.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pranuar se kjo vaksinë ende nuk është e licencuar, por, sipas tij, shpërndarja e saj pritet të nisë në muajin mars.

“Përgatitjet për vaksina kanë filluar nga viti i kaluar, nga korriku, gushti shtatori dhe është proces i përgatitjes për sigurimin e vaksinës, ndërsa informacionet që i kemi shumë më herët ne kemi informacion dhe përgjigje zyrtare që kjo vaksinë të jetë gati në muajin mars, por ne po fillojmë edhe me vaksina të tjera ta zëmë hapin”, ka thënë Zemaj.

Por, licencimi dhe shpërndarja e kësaj vaksine, sipas shkencëtarit Kreshnik Hoxha, nuk pritet të ndodhë deri pas muajit qershor.
“Pritjet e mija do të ishin që rreth mesit të këtij viti do të mund të kishim të gjitha rezultatet përfundimtare të studimit klinik dhe në bazë të asaj të aplikojnë për aprovim dhe vlerësim për autoritetet rregullative, dhe nëse studimet e tyre kanë qenë të suksesshme do të mund të themi se nga mesi i këtij viti që kjo vaksinë të jetë e gatshme për shpërndarje”, tha Hoxha.

Më 6 janar të këtij viti, kryeministri në detyrë i Kosovës, kishte deklaruar se kanë konkretizuar marrëveshje nëpërmjet Austrisë për sigurimin e këtyre dozave, gjë për të cilën Zemaj deklaroi ndryshe këtë të martë. “Dua t’ju informoj se pas bisedave që janë bërë kemi konkretizuar edhe me shtetin e Austrisë për sjelljen e 600 mijë dozave të vaksinës”, tha Hoti.

Ndërsa, Zemaj tha se sigurimi i vaksinës është në proces. “Derisa gjithçka që është në aspektin e marrëveshjes të jetë e konkretizuar atëherë do të njoftoheni edhe ju, janë taksa është edhe një pjesë e buxhetit nga Komisioni Evropian do t’i shfrytëzojmë ato”, tha ai.

Përveç me Austrinë, krerët institucionalë kanë paralajmëruar edhe sigurimin e më shumë se 1 milion dozave të vaksinës nga kompania “Pfizer” dhe mekanizmi COVAX.. Për arritjen e këtyre vaksinave në muajin shkurt, ashtu siç është premtuar shprehen skeptikë qytetarët. “Po shpresojmë, me shpresa po rrimë, jo ashtu qysh është thënë po gjysmën bile”, tha një qytetar që nuk deshi t’i përmendej emri.
Një tjetër qytetar shprehu dyshim se do të vijnë vaksinat pasi, sipas tij, politikanët po gënjejnë. “Rrej ai, rrej ky, ma shumë me rren po shkon vetëm me i mbush xhepat e vet”, tha ai.

Gjatë së hënës, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka tërhequr vërejtjen se bota është në prag të një “dështimi katastrofik”, sa i përket shpërndarjes së vaksinave në mënyrë të barabartë kundër sëmundjes COVID-19.