Arbëri

HANDIKOS-i kërkon zotimin e partive për përmirësimin e kushteve të personave me aftësi të kufizuara

Foto: ilustrim

Shoqata e Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS – u ka nisur të martën një letër të hapur subjekteve politike që do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit, përmes së cilës ka kërkuar zotimet e tyre për përfshirjen e çështjeve të personave me aftësi të kufizuara në programet qeverisëse.

Në letrën e HANDIKOS-it theksohet se personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me sfida që ua pamundësojnë jetën e dinjitetshme dhe realizimin e të drejtave të tyre.

Kjo shoqatë ka theksuar se në bazë të raportit hulumtues të vitit 2020 “Ku qëndron Kosova” është gjetur se vetëm 30 për qind të standardeve të të drejtave të personave me aftësi te kufizuara janë përmbushur në raport me legjislacionin Evropian.

Me këtë dokument, HANDIKOS-i ka thënë se kërkon që subjektet politike t’i kushtojnë vëmendjen e duhur personave me aftësi të kufizuara.

Duke publikuar deklaratën e zotimit për partitë politike, HANDIKOS-i ka renditur pikat prioritare për të cilat partitë duhet të zotohen duke dhënë nënshkrimin e tyre.

DEKLARATË E ZOTIMIT

Zotohemi se në programet dhe praktikat tona qeverisëse do të përfshijmë të drejtat dhe çështjet e personave me aftësi të kufizuara që jetojnë në Kosovë, me qëllim të krijimit të kushteve të barabarta dhe sigurimit të një jetese të pavarur dhe të dinjitetshme për të gjithë.

Ne do të prioritizojmë pikat si më poshtë:

1. Përmirësimin dhe zbatimin e kuadrit kushtetues dhe ligjor për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës;

2. Përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si instrument ndërkombëtar i zbatueshëm drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës;

3. Aprovimi i planit tre vjeçar mbi të drejtat e personave me aftësi te kufizuara i cili bazohet në strategjinë dhjetëvjeçare;

4. Hartimi i planit njëvjeçar përgatitor gjatë vitit 2021, për shpalljen e vitit 2022 - Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës.

Partive të cilave u është drejtuar kjo letër edhe fizikisht do të kenë mundësinë ta nënshkruajnë deri më 25 janar 2021.

Shkarko dokumentin