Arbëri

Historiku i transformimit të Ushtrisë së Kosovës

fsk

U formua në fund të viteve 90-a, si rezistencë e armatosur nga pushtimit serb në Kosovë. UÇK - ishin tre shkronjat më të lavdishme të lirisë që e përjetoi vendi. Por me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999 nisi edhe transformimi i UÇK-së në atë që njihej si Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

TMK ishte pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nën protektoratin e OKB-së, TMK ishte organizatë civile për ndërhyrje dhe shërbime emergjente. Por Me 20 janar 2009 TMK-ja zyrtarisht u shpërbë duke u riformuar në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Pas shpërbërjes së TMK-së më 21 janar 2009, u formua Forca e Sigurisë së Kosovës.

I krijuar në përputhje me Pakon e Martti Ahtisaarit, ish-të dërguarit special të OKB-së për statusin e Kosovës, misioni i FSK-së kishte për detyrë t’i kryejë operacionet e reagimit ndaj krizave në vend dhe jashtë saj, si dhe detyra të tjera modeste.

Qëllimi gjithmonë mbeti që FSK-ja të shndërrohej në ushtri të Kosovës. Veprimet e para në drejtim të transformimit të FSK-së në forca të armatosura kanë ndodhur në vitin 2014, menjëherë pas aprovimit të Analizës së Rishikimit të Sektorit të Sigurisë, e cila u iniciua me vendimin Qeverisë së atëhershme. Por ky proces nuk kaloi pa kundërthënie kjo për shkak të refuzimit të ashpër të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës për të votuar pro.

Më 5 maj të vitit 2014 Kuvendi shtroi në rend dite krijimin e ushtrisë, por në seancë munguan deputetët serbë. Kjo seancë u shty. Deputetët nuk pranonin që formimin e Forcave të armatosura ta votojnë̈ në të njëjtën pako me vendet e rezervuara për komunitetet pakicë. Pas kësaj, më 7 maj, Kuvendi i Kosovës u shpërbë dhe vendi shkoi në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.

Çështja sërish u kthye në Kuvend në maj të 2015, kur në pushtet erdhi koalicioni PDK-LDK me kryeministër Isa Mustafën. Sërish kundërshtonin serbët. Për shkak të frikës nga destabiliteti i mundshëm që mund të krijohej kryesia e Kuvendit të Kosovës më 20 korrik të vitit 2015 hoqi nga rendi i ditës votimin.

Lëvizja e dytë lidhur me transformimin e FSK-së ndodhi më 7 mars të vitit 2017, kur presidenti Thaçi ia dorëzoi kryeparlamentarit Kadri Veseli projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri. Këtë herë reagimet nuk vinin vetëm nga përfaqësuesit e komunitetit serb në vend por shkuan larg, deri tek

sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai pohonte se transformimi nuk mund të ndodhte pa ndryshime kushtetuese. Rezerva kishte edhe ambasada amerikane në Kosovë. Për shkak të destabilitetit politik dhe rënies së qeverisë edhe ky tentim dështoi.

Por viti 2018, ishte i vërteti. Qeveria e kryeministrit të asaj kohe, Ramush Haradinaj më 13 shtator miratoi dhe i procedoi Kuvendit tre projektligje për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht Ligjin për FSK-në, për shërbim në FSK dhe atë për Ministrinë e Mbrojtjes.

Më 18 tetor deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim tre ligjet për transformimin e FSK-së në ushtri. Ato u votuan nga të gjithë deputetët që ishin të pranishëm në seancë përfshirë të komuniteteve tjera përpos serbëve.

Më 14 dhjetor 2018 deputetët votuan për transformimit të FSK-së në ushtri.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Këto tri ligje mundësuan transformimin e FSK-së në Ushtri.