Arbëri

Haradinaj prezanton programin e AAK-së: Hyjmë në zgjedhje për të fituar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka prezantuar programin qeverisës të partisë së tij.

Ai ka thënë se me programin 2021-2025 Aleanca hyn me bindje për fitore dhe sukses në këto zgjedhje. Ai e ka përmendur Ushtrinë e Kosovës si një nga meritat e ish-qeverisjes së tij.

“Po i përmend disa punë të kryera pse besojmë që e meritojmë besimin e qytetarëve. Nga 24 punë të kryera të rëndësishme e veçojmë Ushtrinë e Kosovës, pronësinë mbi Trepçën, pavarësimin energjetik transmisioni i kartë Kosovë-Shqipëri, ligji për kryeqytetin dhe ligji për pagat i cili ende nuk është në zbatim. Pse ne besojmë që do ta marrim besimin e qytetarëve jeni ju anëtarë të listës njerëz profesionalë e me integritet. Shumë prej jush e keni pasur mundësinë të dëshmoheni para qytetarëve por shumë prej juve nuk jeni dëshmuar ende dhe Aleanca ua ka dhënë mundësinë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka shtuar se AAK-ja e ka programin e përfunduar për mandatin e ardhshëm.

“Program i plotë dhe i kompletuar. Programi përmban disa shtylla. E para, Ekonomia, është një plan i detajuar i cili e ka gjetur formulën sesi të dalim nga kriza ekonomike që e ka shkaktuar pandemia. Fondi i ringjalljes prej 1 miliard që e kemi paraparë, e garanton daljen nga kriza. Dhe në këtë shtylla është paraparë edhe plani për zhvillimin ekonomik në katër vitet e ardhshme që do të jetë zhvillim i qëndrueshëm. E dyta siguria shteti i të drejtës. Shtylla e tretë fushat sektoriale, arsimi shëndetësia mjedisi rinia sporti. E dimë që ka pasur mangësi në qeverisjen në këto fusha dhe e kemi gjetur formulën si ti adresojmë sfidat në këta sektorë. Shtylla e katër fokusim i yni është politika e jashtme fuqizimi i shtetit në arenën ndërkombëtare dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO, BE dhe organizata tjera ndërkombëtare”, ka thënë tutje Haradinaj.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj ka thënë se programi i AAK-së garanton që Kosova është e paprekshme dhe e pakushtezueshme.

“Bashkëpunimi i përhershëm strategjik me SHBA-të, është gurthemeli i politikës sonë të jashtme. Përgjegjësia për forcimin e Kosovës bie mbi ne që jemi rreshtuar përkrah presidentit të ardhshëm të Kosovës dhe gardianit të Kosovës së pacenueshme, Ramush Haradinaj. Programi i sotëm është operacionalizim i vizionit të tij për mbi dy dekada. Përmes këtij programi do të mbrojmë sovranitetin territorin e Kosovës, trashëgiminë historike. Diplomacinë do ta fokusojmë në arritjen e njohjes universale të shtetësisë së Kosovës. Shumë shpejt do ta formalizojmë njohjen edhe nga Izraeli. Duke e shtyrë Kosovën në NATO, SHBA-ja avancon interesat në Ballkan dhe largon ndikimin destruktiv të Rusisë. Do të përgatitemi për anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, që të jemi gati për aksion menjëherë pas skadimit të moratoriumit më 4 shtator. Do ta kthejmë Kosovën në Silicon Valley me investime”, ka thënë ajo.