Arbëri

Në Beograd protestohet për deklaratën pro pavarësisë së Kosovës të kryeakademikut serb

Dhjetëra qytetarë serbë, që mbanin flamujt të Serbisë e Rusisë, kanë protestuar sot para objektit të Akademisë së Shkencave dhe Artit të Serbisë në Beograd.

Qytetarët serbë kanë ftuar akademikët serbë “të zgjohen” dhe të dënojnë deklaratën e kryetarit të Akademisë, Vladimir Kostiq, që ditë më parë përsëriti qëndrimin e tij se Kosova nuk është e serbëve.

Kostiqi vite më parë e kishte dhënë këtë qëndrim, por para disa ditësh në një emision televiziv u pyet për të dhe ai e përsëriti atë. Kjo nxiti sërish reagime.

Protestën e sotme e ka udhëhequr deputeti i pavarur në parlamentin e Serbisë, Vladan Glishiq.

“Jemi mbledhur, pasi duam që miqve dhe patriotëve tanë, pjesëtarëve të ndershëm të Akademisë, t’u themi të zgjohen pasi janë në gjumë në ato kolltukë të rehatshëm. Të kujtohen se duhet të mbrojnë akademinë, pasi një person po a kërcënon imazhin”, ka thënë Glishiq, përcjell N1.