Arbëri

​Dëme të mëdha në tokat bujqësore nga vërshimet, kompensimi pas vlerësimit

Foto: Besart Ujkani & Arben Llapashtica \ KOHA

(Kosovapress) - Vërshimet e fundit të shkaktuara nga reshjet e mëdha kanë përmbytur edhe tokat bujqësore, duke shkaktuar dëme të mëdha në kulturat e mbjella.

Fermerët që kanë pësuar nga këto vërshime kërkojnë ndihmën e shtetit për kompensim, ndërsa ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa thotë se pas vlerësimeve të dëmeve, do të bëjnë kompensimin financiar të tyre.

Fermeri nga Krusha e Madhe, Mentor Duraku thotë se dëmet janë të mëdha në bujqësi, në kulturat bujqësore të grurit.

“Reshjet e fundit kanë dëmtuar grurin më shumë. Janë në ujë të gjitha. A ka dalë ndonjë komisionin me vlerësuar dëmin? Jo ende. Kanë dalë për evidentimin e shtëpive që është bërë dëm”, shpjegon ai.

Kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selatin Hoti thotë se fatkeqësisht edhe zona e Rahovecit është prekur nga vërshimet, por siç tregon ai dëmet më të mëdha janë në bujqësi, veçanërisht sipërfaqet me grurë.

“Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha edhe në bujqësi, siç shihet edhe nga këtu kemi të bëjmë me sipërfaqe të tëra përmbytura e që fatkeqësisht janë me grurë të mbjella. Gruri është buka që është produkt strategjik për secilin popull në tryezë dhe në aspektin ekonomik”, deklaron Hoti.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa thotë se pas vlerësimeve të dëmeve, me anë të një vendimi qeveritar do të kompensohen me mjete financiare.

“Vërshimet kanë qenë mjaft të mëdha ka qenë e pamundur edhe lëvizja e zyrtarëve komunalë në disa nga këto treva. Tani komisionet kanë filluar të dalin në terren për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet. Sa po të kemi raportet finale do të bëjmë një përmbledhje përfundimtare për të gjitha komunat dhe do të nxjerrim një vendim në qeveri për kompensimin financiar të këtyre dëmeve”, thotë Mustafa.

Edhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet nëpër shtëpi, infrastrukturë rrugore dhe bujqësi ka premtuar se me prioritet do të bëhet kompensimi i dëmit nga Fondi Emergjent i Qeverisë së Kosovës.