Arbëri

LDK-ja mendon se VV-ja qëndron pas aplikacionit që e denoncoi KQZ-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot se një aplikacion që po qarkullon online është i paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin. Tha se e ka paraqitur rastin tek organet përgjegjëse. Bëhet fjalë për aplikacionin, përmes të cilit kryhet aplikimi i votuesve jashtë vendit.

E LDK-ja, ka shkuar një hap tutje, duke e akuzuar VV-në se ajo qëndron prapa këtij aplikacioni.

“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e shqetësuar nga akti i sotëm i aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët krijuan faqe online për të manipuluar vullnetin politik të mërgatës sonë, madje duke u tentuar që atyre t’u marrin edhe mjete financiare nga llogaritë bankare. Prej vitesh Vetëvendosje ka nisur manipulimin dhe helmimin e diasporës, nëpërmes propagandës majtiste, gjoja se Kosova është një vend i paperspektivë në të cilin nuk jetohet”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, kjo, sipas saj, propagandë, po ndikon në përçarje kombëtare.

“Siç duket kësaj partie nuk i kanë mjaftuar instrumentet e deritanishme, por ka kaluar edhe në hapin tjetër, zhvatjen financiare të diasporës sonë nëpërmjet faqeve elektronike jo ligjore. LDK u bën thirrje të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, që të mos bien pre e këtyre manipulimeve, të cilat bien ndesh me ligjin dhe ushqejnë propagandën politike”, thuhet në reagim.