Arbëri

Në 22-vjetorin e masakrës, Kompleksi Memorial i Reçakut ende i papërfunduar

Institucionet publike prej 22 vjetësh kanë dështuar ta finalizojnë Kompleksin Memorial të Reçakut, që është projektuar për t’ua bërë nderimin 44 shqiptarëve të ekzekutuar nga forcat policore e ushtarake serbe, më 15 janar të vitit 1999.

Sipas të dhënave zyrtare, Qeveria e Kosovës dhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, të cilat janë kompetente për investime, deri tashti në këtë kompleks kanë shpenzuar mbi 2 milionë euro, por që projekti ende nuk është finalizuar. Muret kanë mbetur të zbrazëta, mungon rrethoja e kompleksit, trotuaret, hapësirat gjelbëruese, ndriçimi publik dhe infrastruktura përcjellëse.

Të mbijetuarit e kësaj masakre kanë kërkuar finalizimin e projektit. Hafiz Mustafa, njëri nga ta, ka treguar se si forcat serbe ia kanë mbytur djalin 22-vjeçar së bashku me 43 bashkëvendës të fshatit.

“Reçakun e njeh krejt bota dhe ka kaluar një kohë e gjatë prej 22 vjetësh, por për memorialin është punuar pak. Ende muret kanë mbetur të zbrazura, pastaj duhet të rregullohen edhe rrethoja, ndriçimi, infrastruktura, mirëmbajtja etj. Deri tash si banor kemi kërkuar që Reçaku të ketë një kujdes më të veçantë, por nuk po ndodh”, është ankuar Mustafa.

Edhe banori tjetër Zukë Mustafa, kërkon nga institucionet publike që ta finalizojnë Kompleksin dhe infrastrukturën e fshatit.

“Sa u përket shtetit dhe institucioneve shumë pak kanë bërë për Reçakun, në të gjitha aspektet, i kanë lënë të gjitha punimet në gjysmë, asnjë punë nuk është finalizuar deri në fund. Kërkojmë nga shteti e institucionet që të merren më seriozisht me fshatin Reçak, sepse fshati Reçak është një vend që e ka ngritur botën në këmbë, kurse institucionet tona duhet të bëjnë më shumë”, ka thënë Mustafa.

Në Komunën e Shtimes kanë thënë se janë kryer mjaft punë që janë në përgjegjësinë e saj. Shqipe Rexhaj, drejtoreshë për Urbanizëm në Komunën e Shtimes, ka thënë se është shqetësuese se projekti i Reçakut ka ngecur nga niveli qendror, megjithëse Komuna ka adresuar disa herë kërkesa në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve. Sipas saj, Komuna ka investuar në infrastrukturën rrugore të fshatit, në kanalizim, ndriçim publik.

“Te kompleksi që është përgjegjësi e Qeverisë apo nivelit qendror, janë bërë investime, ka mirëmbajtje, mirëpo ka ende hapësirë për t’u punuar, sepse ka një perimetër shumë të madh. Po ashtu, e kisha lutur nivelin qendror që me Reçakun të merret në veçanti dhe po ashtu të futet si zonë e mbrojtur për shkak se ne kemi mundësi t’i parandalojmë disa ndërtime dhe disa veprimtari që nuk ndikojnë pozitivisht në fshat”, ka thënë Rexhaj.

Sipas saj, Komuna vazhdimisht ka deponuar kërkesa te Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, për investime më të mëdha në Kompleksin e Reçakut, në mënyrë që projekti të finalizohet sa më shpejt. “Niveli qendror për çdo vit po investon prej 100 deri në 200 mijë euro në Kompleks, gjë që nuk mjaftojnë për shkak të lokacionit të madh. Këtë vit Instituti ka filluar ta ndërtojë rrugën nga kompleksi për te vendi i masakrës, dhe po presim që gjatë këtij viti të përfundojë. Për Komunën është shumë shqetësuese mungesa e investimeve, sepse Reçaku e ka vlerën e vet, andaj duhet të përfundohet sa më shpejt projekti i kompleksit”, ka thënë Rexhaj.

Adnan Elshani, shef në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, nëpërmjet telefonit ka thënë se projekti i Kompleksit të Reçakut deri tashti është zvarritur si pasojë e mungesës së mjeteve financiare.

“Sivjet kemi ndarë 100 mijë euro për ndërtimin e rrugicës që çon te vendi i masakrës dhe disa projekte të tjera në këtë kompleks. Po ashtu do të bëhet edhe konservimi i disa shtëpive të vjetra, të cilat nuk do të lejohen të rindërtohen dhe as të rrënohen, pra do të ruhen si lloj muzeu. Deri tash nuk është finalizuar për shkak të mungesës financiare, por ne e kemi një kërkesë nga banorët që ta ruajnë hapësirën brenda kompleksit, sepse ka pasur raste të dëmtimit”, ka thënë Elshani.

Ai ka shtuar se Instituti tashmë e ka të kontraktuar një kompani për mirëmbajtjen e komplekseve, ndërkohë këto ditë është pastruar edhe Kompleksi në Reçak për shkak të ditës së përvjetorit.