Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se në zgjedhjet e 14 shkurtit, vëzhguesit e procesit zgjedhor do të jenë në numër shumë më të vogël për shkak të pandemisë me COVID-19.
Kjo, sipas tij, ndodh për herë të parë që nga viti 2008.
“Situata me pandeminë ka ndikuar edhe në misionin tonë të vëzhgimit sepse për herët të parë pas pavarësisë do kemi reduktim të ndjeshëm të misionit. Por sërish do vijojmë që si Demokraci në Veprim të ruajmë komponentët e vëzhgimit që kemi bërë deri tash”, tha ai në Express Intervistë.
Cakolli tha se numri i vëzhguesve do të ulet për 70 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
“Do të kemi një metodologji e njohur si numërim paralel i tërë mbarëvajtjes. Deri sa në proceset e kaluara Demokracia në Veprim ka pasur 3,000 persona, ky numër kësaj here do ulet rreth 70 për qind. Do kemi kapacitete vetëm me 30 për qind, pra do kemi 600 vëzhgues që do angazhohen në ditën e zgjedhjeve, prej të cilëve 489 do vendosen nëpër vendvotime të caktuara, 104 vëzhgues do jenë në dyshe si ekipe që do vëzhgojnë mbarëvajtjen e gjithë procesit”, shtoi ai.
Megjithatë, ai thotë se numri më i vogël i vëzhguesve nuk do të ndikojë negativisht në procesin e vëzhgimit, ndërsa përsëritë se edhe këtë herë rezultatet që paraprakisht do të paraqiten nga ta do të “jenë reflektim i rezultatit të përgjithshëm, me margjinë të vogël të gabimeve”.
Cakolli tha se numri më i ulët i vëzhguesve nuk ndikon as në keqpërdorim të votës apo parregullsi të tjera.
“Metodologjia që do ta zgjedhim na garanton se në rast evidenti të ndonjë parregullsie na ofron siguri se një parregullsi evidentohet në një vendvotim, del që e njëjta parregullsi bëhet në të paktën pesë vendvotime të tjera”, tha ai.
Ende ka hapësira për manipulim në procesin e votimit nga jashtë
Cakolli e ka quajtur të duhur vendimin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për diasporën, ku thotë se verifikimi i tyre do të rrisë integritetin e procesit zgjedhor. Ai shton se edhe pas këtij vendimi, ende ka hapësira për manipulime me vota.
“KQZ-ja në këto zgjedhje është treguar institucion që ka avancuar ndjeshëm në përgatitje. Sa i përket procesit të votimit nga jashtë që është më së lehti i cënueshëm, ende ekzistojnë hapësira të shumta për manipulim që nuk mund të adresohen edhe me vendime më të avancuara se ky. Sa i përket vendimit për verifikimin e aplikacioneve, me udhëzimin e miratuar nga KQZ-ja, ky vendim është mëse i duhur për rritjet e integritetit t procesit zgjedhor”, tha ai.
Ai thotë tutje se verifikimi i tillë nga KQZ-ja do të adresojë edhe situatën me aplikacionet nga Serbia, të cilat janë kritikuar gjithherë dhe janë cilësuar si të dyshimta.
“Nuk duhet të harrojmë rreth 5 mijë aplikacione apo më shumë që vijnë nga Serbia dhe zakonisht janë kritikuar si aplikacione të dyshimta. Me anë të këtij vendimi është adresuar edhe situata me këto aplikacione”, përfundoi ai.