Arbëri

Telekomi në krizë, angazhon avokatë vendorë e ndërkombëtarë për kontratat e dyshimta

Sindikata e Punëtoreve të Telekomit ka angazhuar avokatë vendorë dhe ndërkombëtarë për përgatitjen e lëndës për kontratat e dyshimta që, sipas tyre, kanë shkaktuar dëme dhe gati kanë falimentuar Telekomin.

Dëshmitë për parregullsitë e ndodhura u janë dorëzuar avokatëve. Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, çështja mund edhe të dërgohet në Kushtetuese pasi që gjykatat vendore nuk i kishin marrë seriozisht dëmet që i janë shkaktuar Telekomit.

“Gjendja është e rëndë, nuk ka ndonjë ndryshim nga viti 2020 dhe pothuajse çdo ditë është duke u keqësuar gjendja, për shkak të problemeve financiare që ka Telekomi në aspektin financiar, kontratat e dëmshme dhe pranimi i borxhit nga Qeveria e Kosovës për “Z Mobile”, ka thënë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.

Kryetari i kësaj sindikate ka thënë se shumica e punëtorëve nuk i kanë marrë pagat e dhjetorit të vitit të kaluar. Ai u shpreh që shkurtimi i afatit për shlyerjen e borxhit ndaj “Z mobile” ka lënë në baltë punëtorët.

“Ne kemi mbetur në baltë, sepse as nuk na kanë dhënë garanci për kredi, as nuk kemi marrë subvencion”, ka thënë Balaj.

Telekomi i Kosovës ka afat dy vjet që të paguajë borxhin ndaj “Z mobile”, ndërkohë ende nuk ka marrë subvencione të premtuara nga Qeveria.