Është ndërruar komisioni për zgjedhjen e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, pas raportimit të KOHËS se një pjesë e anëtarëve janë të lidhur me LDK-në e kanë konflikt interesi për të qenë pjesë e këtij komisioni.
Të paktën dy anëtarë të këtij komisioni ishin të afërt me LDK-në.
Diellor Rizaj, këshilltar i ministrit Armend Zemaj, e Vjollca Kadolli – Halili, pjesë e LDK-së, ishin në komisionin për përzgjedhjen e drejtorit. Pjesë e këtij komisioni ishte edhe Haki Smajli.
Të tre këta anëtarë janë zëvendësuar me Agreta Gecaj - Gashi, Ardian Mehmetaj e Naim Hoxha.
Në vendimin për ndryshimin e komisionit si arsyetim përmendet, ndër të tjera, edhe rritja e transparencës dhe shmangia e konfliktit të interesit.
Për ta drejtuar institucionin më të rëndësishëm spitalor në vend, siç ka mësuar KOHA, pretendues janë figura që janë të lidhura me politikën.
Garës për drejtor të këtij institucioni i janë futur: Saudin Maliqi, pjesë e LDK-së, Gani Halilaj, pjesë e PDK-së, Driton Ukmata, ish-këshilltar i ish-drejtorit Basri Sejdiu, i zgjedhur në kohën kur ministër ishte Uran Ismaili, Valbon Krasniqi, pjesë po ashtu e LDK-së, Basri Lenjani, pjesë e AAK-së, dhe kandidatja e gjashtë është Gloria Staka.
Pas raportimit të KOHËS, njëri nga kandidatët për drejtor, Driton Ukmata, ka kërkuar që përbërja e komisionit të ndryshohet për shkak të dyshimeve për politizim.
SHSKUK-ja ka buxhet vjetor rreth 120 milionë euro. Dy drejtorët e mëhershëm të këtij institucioni nuk i kanë përfunduar mandatet. Basri Sejdiu është shkarkuar disa muaj më herët, e Curr Gjocaj ishte dorëhequr në vitin 2017.