Arbëri

Partitë politike mbajnë të fshehur kandidatët për deputetë, paralajmërojnë befasi

Sigurimin e sa më shumë ulëseve në Kuvend janë duke synuar partitë politike nga zgjedhjet e 14 shkurtit. E për këtë garë disa prej tyre kanë paralajmëruar befasi, duke aluduar në kandidatët që i kanë zgjedhur. Me gjithë këtë, ato kanë vendosur që të mos shpalosin shumë detaje, derisa është afruar afati për deklarimin e tyre në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Në këtë institucion të gjitha subjektet politike kanë kohë deri të shtunën, në orën 18:00, që ta bëjnë një gjë të tillë. Me deklarimin e tyre, përveç kandidatëve për deputetë, do të bëhen të ditura edhe detajet nga marrëveshjet mes partive të cilat, megjithëse kanë vendosur të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, një gjë të tillë nuk e kanë bërë përmes koalicioneve parazgjedhore.

Në një konferencë për media e në të cilën ka lavdëruar gjerë e gjatë programin e tij qeverisës, udhëheqësi i PDK-së, Enver Hoxhaj, nuk ka kursyer fjalët më të mira edhe për listën me të cilën do të garojnë.

Hoxhaj ka thënë se lista e kandidatëve për deputetë është shumë më e mirë sesa e subjekteve të tjera politike.

“Çka mund t’ju them është se 10-shja e parë, 10-shja e dytë, 10-shja e tretë, 10-shja e katërt dhe e pestë do të jenë një numër i parë i atyre që garojnë për të qenë deputetë që nuk krahasohet me asnjë parti tjetër politike, qoftë për shkak të profilit të tyre profesional, qytetar, patriotik, moral dhe të përvojës. 10-shja e parë do të jetë një befasi e cila mund ta tejkalojë goxha shumë imagjinatën tuaj”, ka thënë Hoxha, derisa ka paralajmëruar se të mërkurën do t’i bëjë publike edhe disa aderime të reja në parti.

Për dallim nga PDK-ja, AAK-ja në krye të listës ka thënë se do të vendosë kandidatët të cilët do të zgjidhën në bazë të disa kritereve. Ramush Haradinaj, kandidat për president nga kjo parti, ka thënë se numri i kandidatëve në listë, mes tjerash, është edhe zgjedhje e tyre, derisa ka përmendur dy shembuj me të cilët kanë hasur.

“AAK do të respektojë votën e kohës së kalume, me këtë rast të deputetëve të njerëzve të zgjedhur. Jo të gjithë kërkojnë që me iu respektu ajo kuotë, ka disa që kërkojnë pozicione të veçanta, p.sh. vëllau im Daut Haradinaj ka shumë vota, por ai e kërkon mesin e listës, dikush e ka kërkuar fundin e listës, pra një koleg i yni i ri sot, Ismet Shamolli, ka kërkuar fundin e listës”, ka thënë Haradinaj, derisa ka shtuar se me renditjen në listë do të vlerësojnë edhe ndonjë kandidat për të cilin vlerësojnë se ia vlen dhe do të ishte porosi e mirë për votuesit.

Detaje nga lista e tyre nuk kanë pranuar të japin as nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës e as nga Nisma. Heshtjen karshi garës së saj në zgjedhjet e 14 shkurtit, pas kthimit nga Brukseli, pritet ta thyejë ish-nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani. Afati për deklarimin e listave, me të cilat partitë do t’i futen garës zgjedhore, përfundon të shtunën, më 16 janar, në orën 18:00.

Ndryshe, një ditë më parë ka përfunduar afati kohor brenda së cilit partitë është dashur të deklaronin koalicionet parazgjedhore. Në zgjedhjet e 14 shkurtit, në dy koalicione të ndara, janë bërë bashkë vetëm katër parti politike.