Arbëri

Kërcënon Hoti: S’do të kursejmë askënd në fushatë

Kryeministri në detyrë dhe kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërcënuar se në fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit nuk do të kursejë askënd.

Këtë e ka thënë si përgjigje ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që më herët u shpreh se shiu në Kosovë nxori në pah dështimet e keqqeverisjes 20-vjeçare. Ai paralajmëroi se do të insistojë që të nisin hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikëqyrësit, por edhe për politikanët që kanë vendosur për tenderë e konkurse, pas vërshimeve që kapluan vendin qe disa ditë.

Në përgjigjen e tij, para strukturave të LDK-së në Drenas, Hoti ka thënë se duhet mobilizim i elektoratit të LDK-së “në mënyrë që mos të lejohet që Kosova të lëvizë nga kursi pro perëndimor”.

“Ne nuk do ta kursejmë askënd në këtë fushatë. Nuk do të lejomë që njerëzve t’u shpërlahet truri. Kosova që tre ditë përballet me vërshime, Kurti në vend se të kërkojë angazhim nga qeveria, ai del dhe kërcënon se me prokuror do të angazhohet se diku një rrugë apo një gardh nuk është ndërtuar mirë. Ai flet për këto gjëra në kohën kur njerëzit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Ne duhet të bëjmë çdo që të pamundësojmë këtë model të qeverisjes”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se ka marrë qeverisjen në një kohë kur shteti ishte i izoluar e me sanksione teksa është mburrur duke thënë se “për pak javë kanë kthyer relacionet me bashkësinë ndërkombëtare”.

“Ne e morëm qeverinë në kohën kur kishte kërcënime serioze për tërheqje të trupave amerikane ndërsa arritëm si qeveri që ushtrinë e Kosovës ta dërgojmë në misione bashkë me ushtrinë amerikane. Ky është ndryshim komplet i kursit, si dita me natë, me ata që ishin para nesh në qeverisje”, ka thënë Hoti.

Ai ka vlerësuar se në kohën e qeverisjes së tij, është menaxhuar me sukses edhe situata me pandeminë.