Samedin Mehmeti është emëruar drejtor i përgjithshëm I Policisë së Kosovës. Vendimi është marrë në mbledhjen që Qeveria në detyrë e Kosovës e ka mbajtur sot.
Mehmeti kishte qenë ushtrues i detyrës së drejtorit të Policisë, që kur u shkarkua Rashit Qalaj.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës, ka mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike. Në mbledhjen e 57 me radhë, Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe vendimin për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, në projektin për sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë Informative të Policisë së Kosovës. Qeveria në detyrë, i ka propozuar kryeministrit Hoti emërimin e z. Samedin Mehmeti, Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, të Projektit për sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë së Informacionit të Policisë së Kosovës. Bëhet fjalë për mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe sigurinë e rrjetit të brendshëm të Teknologjisë së Informacionit të Policisë së Kosovës, që vlerësohet të jetë i ndjeshëm dhe konfidencial.