Arbëri

Osmani: Liberalizimi i vizave për Kosovën i ofron Evropës kapital të jashtëzakonshëm njerëzor

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do t’ua mundësonte kosovarëve të marrin më të mirën e Evropës për ta sjellë në vendlindje, ndërsa Evropën do ta ofronte më afër një kapitali të jashtëzakonshëm njerëzor, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim që ka pasur me liderë belg në Parlamentin e Belgjikës.

Në një takim me presidenten e Senatit, Stephanie D’Hose dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Eliane Tillieux, Osmani ka thënë se partneriteti i Kosovës me Belgjikën ka rëndësi tejet të madhe për finalizimin e procesit të integrimit në Evropë.

Sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk është vetëm çështje politike, por mbi të gjitha vullnet i përgjithshëm i popullit më pro-Evropian.

“Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në avancimin e diplomacisë parlamentare, bashkëpunim ekonomik, si dhe rimëkëmbjen duke investuar në arsim, shëndetësi, mbrojtje të mjedisit, si dhe në avancimin e përfaqësimit gjinor në çdo fushë”, thuhet në një njoftim të presidencës.