Arbëri

Përplasje në MPJ për raportin që evidentoi shkeljet në shërbimin e jashtëm

Descriptive Text

Një raport i Shoqatës Sindikale të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku konstatohen shkelje të shumta ligjore në shërbimin e jashtëm, ka shkaktuar përplasje brenda këtij dikastari. Pas gjetjeve të publikuara në “Koha”, kabineti i ministres Meliza Haradinaj ka akuzuar drejtuesin e Shoqatës se ka qenë tendencioz, duke shtyrë përpara interesa politike.

Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, veç akuzave ndaj kryetarit të Shoqatës, Agron Maloku ka thënë se ai nuk e përfaqëson qëndrimin e anëtarëve.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) është institucion i hapur, transparent dhe profesional. Sa i përket pretendimeve të ngritura nga një individ që pretendon se përfaqëson Shoqatën sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ), mund të themi se ato nuk qëndrojnë, janë tendencioze dhe nga informacionet që kemi ato nuk përfaqësojnë mendimin e anëtarësisë e as të organeve ekzekutive të vetë SHSASHJ-së. Është për keqardhje që përdoret një mekanizëm i rëndësishëm i përfaqësimit të të drejtave të zyrtarëve dhe diplomatëve të MPJD-së për interesa shumë të ngushta politike dhe me qëllim të vetëm të denigrimit të shërbimit të jashtëm”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Akuza për shkelje disiplinore

Aty pretendohet edhe për disa shkelje disiplinore të Malokut gjatë ushtrimit të aktivitetit diplomatik në Konsullatën e Përgjithshme në Frankfurt. Por nuk është specifikuar se për cilat shkelje bëhet fjalë.

“Drejtuesi aktual i SHSASHJ-së ka keqpërdorur besimin e anëtarësisë së SHSASHJ-së për të shtyrë përpara interesa të caktuara politike. I njëjti ka keqpërdorur besimin e dhënë nga Këshilli Ekzekutiv i SHSASHJ-së dhe nga anëtarësia e gjerë, gjë që flet për integritetin e dobët dhe të cenueshëm të drejtuesit të SHSASHJ-së”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

“Për më shumë, shumica e anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv të SHSASHJ-së kanë shprehur me shkrim shqetësim dhe mospajtim, si dhe kanë kontestuar qëndrimin e përcjellë nga drejtuesi i Sindikatës, duke vlerësuar se këto qëndrime nuk përfaqësojnë gjendjen faktike në shërbimin e jashtëm. Vlen të përmendet se për të janë konstatuar disa shkelje disiplinore gjatë ushtrimit të aktivitetit diplomatik në Konsullatën e Përgjithshme në Frankfurt dhe në Hamburg”.

Por Maloku i ka mohuar akuzat.

“Si kryetar i Sindikatës i mbroj interesat e anëtarëve të Sindikatës dhe nuk i përkas asnjë partie politike. Ministrisë nuk i takon të lëshohet në shpifje ndaj drejtuesit të Sindikatës apo anëtarëve të tjerë, por t’i argumentojë vërejtjet dhe gjetjet në lidhje me këtë raport”, ka thënë ai për “KOHËN”.

MPJ-ja ka vënë në dispozicion komunikimin me email të dy anëtarëve të Sindikatës të cilët janë distancuar nga raporti i organizatës ku vetë bëjnë pjesë. Donika Sfishta dhe Bekim Gashi kanë shprehur qëndrim mospajtues, teksa kanë thënë se nuk ka pasur asnjë lloj debati për t’i dhënë argumentet e tyre. I kontaktuar nga “KOHA”, Gashi ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim nëpërmjet Zyrës për Informim. Ndërkaq Sfishta nuk është lajmëruar në telefon.

Por Maloku thotë se ftesat për takime janë dërguar vazhdimisht dhe në të shumtën e rasteve anëtarët kanë dhënë miratimin për gjetjet e raportit.

“Kam mbështetjen e shumicës së anëtarësisë. Shumë prej tyre e kanë mbështetur këtë raport dhe ajo më kryesorja, asnjë nuk i ka kundërshtuar gjetjet e paraqitura në këtë raport”, ka thënë ai.

“Emërimet klandestine”

Klandestine dhe jotransparente i ka quajtur Shoqata gradimet e fundit dhe emërimet e konsujve të përgjithshëm. Për shkak të paligjshmërive, ushtruesja e detyrës së presidentes i shkarkoi katër prej tyre.

Megjithëkëtë, MPJ-ja thotë se emërimet janë bërë në përputhje me ligjin. Sipas tyre, çështjes së emërimit të konsullit të përgjithshëm i paraprin kërkesa e MPJD-së, që i bëhet në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Zyrës së presidentit për dekret.

“MPJD në të gjitha rastet kërkesat që i ka parashtruar në emër të Qeverisë tek Presidenca i ka bërë në harmoni me nenin 84 (paragrafët 4 dhe 25) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 2 ( paragrafi 7.1 dhe 7.10 ) të Ligjit Nr. 03/L-207 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës (GZ.76, 10 gusht 2010). Në secilin rast pas lëshimit të dekreteve presidenciale, MPJD është e obliguar t’i zbatojë të njëjtat”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Por në rastin e dekretimit të Flakron Shalës, që është djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala- kryeministri Hoti kishte thënë se nuk ka qenë i informuar. Reagimi i tij kishte ardhur pas raportimit të “KOHËS” për emërimin e Shalës.

Raporti i Shoqatës evidenton edhe pakënaqësitë me procesin e rotacionit ku janë privilegjuar diplomatët mbi baza familjare, klanore dhe partiake.

Edhe këto i ka mohuar Ministria.

“Tanimë rotacioni diplomatik është bërë i rregullt, dhe ka filluar kthimi i normalitetit të brendshëm, ku janë ndërmarrë veprime konkrete sa i përket gradimit dhe rotacionit. Në funksion të fuqizimit të brendshëm për adresimin e nevojave për zhvillimin dhe profesionalizimin e shërbimit të jashtëm. Ky proces ka vazhduar të realizohet në transparencë të plotë, i udhëhequr nga parimi i meritës dhe barazisë, bazuar në kualifikimin profesional, përvojën e punës, njohuritë e gjuhëve të huaja dhe certifikimet e nevojshme për ofrim të shërbimeve konsullore”, kanë thënë në MPJD.

Në raport është përmendur rasti i Fatmire Musliut- konsulle e përgjithshme në Frankfurt, e cila vazhdon të qëndrojë në mision qe 11 vjet, pa u kthyer asnjëherë në Ministri.

Sipas Ministrisë, Musliu ka përfunduar mandatin e saj në Frankfurt dhe posa të akreditohet zëvendësimi i saj ajo do të sistemohet në kuadër të strukturës së brendshme të MPJD-së. Pasardhës i Musliut është emëruar Gazmend Krasniqi, i cili ka qenë shef i protokollit në ish-kabinetin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Edhe për Krasniqin, Shoqata ka konstatuar se është dekretuar në mënyrë të jashtëligjshme nga ish-presidenti Hashim Thaçi.