Arbëri

Hoti: Varësisht nga situata me reshjet mund të kërkohet edhe angazhimi i FSK-së

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, për gjendjen e krijuar në disa komuna të Kosovës si pasojë e reshjeve të shumta të shiut, ka thënë se mund të kërkohet edhe angazhimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai në Facebook ka treguar disa të dhëna nga Qendrat Operative për gjendjen, ndërsa ka thënë se ekipet po intervenojnë sipas nevojave dhe mundësive.

Sipas të dhënave nga Qendrat Operative:

• Në Komunën e Drenasit - uji ka depërtuar nëpër oborre të shtëpive në Poklek, Krajkovë, Tërstenik, Shtrumbullovë, Komoran dhe në qendrën e qytetit.

• Në Komunën e Prizrenit - ka pasur përmbytje të disa bodrume të shtëpive në lagjen Arbana.

• Në Komunën e Malishevës - janë bllokuar disa rrugë afër QMF-së, është rritur niveli i lumit Mirushai dhe janë vërshuar rrugët që qojnë në fshatrat Bajë, Marali dhe Maxharrë. Ekipet reaguese janë në vend ngjarje.

• Në Komunën e Rahovecit - janë vërshuar disa rrugë poshtë qytetit dhe në fshatrat Gexhe dhe Kramovik.

• Në Komunën e Pejës - ka vështirësi në pikë kalimin kufitar “Kullë” dhe në aksin rrugor Pejë–Rugovë, ndërkaq rruga për në fshatin Kuqishtë ka vështirësi të mëdha kalimi.

• Në Komunën e Klinës - nga të reshurat e shiut ka filluar me shpejtësi rritja e nivelit të lumenjve, në disa fshatra kanë filluar të vërshohen tokat bujqësore, në fshatin Ozdrim janë rrezikuar dy familje nga depërtimi i ujit në shtëpi.

• Në Komunën e Gjakovës - ka pasur disa pengesa në rrugët e qytetit nga vërshimet.

• Në Komunën e Junikut - ka pasur bllokim rruge në tri lokacione në fshatin Gjocaj si pasojë e rrëshqitjes së dheut.

• Në regjionin e Pejës - janë raportuar një numër i madh i defekteve në rrjetin e energjisë elektrike.

Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet në rrugë për shkak të vërshimeve në disa akse rrugore dhe rrëshqitjes së dheut e gurëve në disa lokacione.