Dy javë pas vendimit se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, pasi Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jolegjitime, Gjykata Kushtetuese ka shpallur aktgjykimin e plotë. Në aktgjykimin prej 65 faqesh, kjo gjykatë ka rikonfirmuar se personat e dënuar për vepra penale me vendim të prerë nuk mund t’i hyjnë garës zgjedhore. Pas publikimit të aktgjykimit, u.d. e presidentes, Vjosa Osmani, ka shpallur zgjedhjet
Të dielën e dytë të muajit të ardhshëm, më 14 shkurt, qytetarët do t’iu drejtohen kutive të votimit, për herë të dytë brenda 15 muajsh. Rreth gjashtë orë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetueses, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës. Përmes një komunikate për media, nga Zyra e Osmanit kanë bërë të ditur datën e zgjedhjeve.
“Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”, thuhet në komunikatën e dërguar mediave. Më tutje, në këtë komunikatë është bërë e ditur se është udhëzuar KQZ-ja që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Osmani menjëherë pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, para dy javësh që konstatoi se Qeveria është zgjedhur në mënyrë jolegjitime, shkaku i votës së deputetit Etem Arifi, është konsultuar me subjektet politike. Që të gjitha janë shprehur të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.
Dy javë pas vendimit të parë, Gjykata Kushtetuese të mërkurën publikoi aktgjykimin e plotë. Ndër të tjera, në këtë aktgjykim është konfirmuar se të gjithë personat që janë të dënuar për vepër penale nuk kanë të drejtë të kandidojnë në zgjedhje.
Si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk mund t’i prijë garës zgjedhore e as të jetë kandidat për deputet. Kurti, më 2018, së bashku me Albulena Haxhiun, Donika Kadaj-Bujupin e Faton Topallin janë shpallur fajtorë për dy vepra penale; përdorimi i mjetit të rrezikshëm e pengimi i personit zyrtar.
Sipas Kushtetueses, ndalimi i personave të dënuar për të kandiduar nuk ka për qëllim “ndëshkimin e individëve të caktuar, por mbrojtjen e integritetit kushtetues”.
“Rrjedhimisht, duke u bazuar në gjuhën e qartë të nenit 71.1 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nënparagrafit 6 të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata konsideron se asnjë person nuk mund të fitojë dhe të mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sikurse parashihet me këto dispozita, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse kundër tij/saj ka një vendim dënues që është në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet, ndër të tjera, në aktgjykimin e Kushtetueses.
Në aktgjykim, Kushtetuesja argumenton edhe mosvlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi. Sipas saj, kandidimi i Arifit dhe zgjedhja e tij deputet, ndonëse ka qenë i dënuar, shfaq paqartësitë dhe të metat serioze të mekanizmave të institucioneve të Kosovës. Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se Kuvendi së bashku me Këshillin Gjyqësor e Komisionin Zgjedhor duhet të qartësojnë e të konsolidojnë bashkëpunimin e tyre dhe aspektet normative.
“Kjo është e domosdoshme për t’i shmangur situatat paradoksale, nga këndvështrimi kushtetues, ku një person pasi është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, sikurse parashihet me nenet përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve, i lejohet të kandidojë në zgjedhje parlamentare, të zgjidhet deputet, t’i verifikohet mandati, si dhe të vazhdojë të ushtrojë funksionin e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, madje edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burgim. Ndërkohë që Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos i lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale që të zgjidhen deputetë dhe ta ushtrojnë mandatin e deputetit”.
Se Kurti nuk mund të kandidojë e thonë edhe njohësit e Kushtetutës. Derisa e ka konsideruar si një ndër më profesionalët, ish-gjyqtari Kadri Kryeziu thotë se nuk ka rëndësi nëse dënimi ndaj Kurtit e të tjerëve ka qenë me kusht. “Ky dënim është në kuadër të aktgjykimit dënues, nuk është me rëndësi a është i dënuar me kusht a me burgim efektiv. Kështu siç e parasheh është në përputhje me vendimin e Gjykatës”.
I të njëjtit mendim është edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj. Në një përgjigje për KOHËN, ai ka thënë se “Kushtetuesja ka rikonfirmuar atë që është thënë në vendimin e parë, se të gjithë të dënuarit në tre vjetët e fundit me vendim të formës së prerë nuk do të mund të kandidojnë për deputetë, përfshirë edhe Kurtin”.
Por sipas ish-kryetarit të Kushtetueses, Enver Hasani, me aktgjykimin e publikuar të mërkurën, Kurtit i pamundësohet edhe gara për kryeministër. “Sipas Kushtetutës së Kosovës, qartë ka qenë dhe është, sikur loti, që pos me vendim gjyqësor të formës së prerë nuk mund të merren të drejtat civile. Kjo me këtë aktgjykim u prish, nuk ekziston më si garanci kushtetuese. Nëse shkon çështja në Gjykatë sërish, me këtë standard të tanishëm, garant që nuk e lejojnë të jetë as kryeministër. Nuk ka interpretim tjetër tash e tutje”, ka thënë ai derisa u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.
KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga Lëvizja Vetëvendosje, por nga Zyra për Media e kësaj partie kanë thënë se janë duke analizuar aktgjykimin e më pas do të dalin me një qëndrim zyrtar. Disa orë më vonë, përfaqësuesi ligjor i kësaj partie ka thënë se përmbajtja e aktgjykimit të Kushtetueses është devijuar nga kërkesa fillestare e Lëvizjes Vetëvendosje. “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në përmbajtje shpreh rrethanat e rastit konkret të humbjes së mandatit për të dënuarin me burg, z.Arifi. Pra për shkak se i njëjti ishte dënuar me burgim efektiv sipas një dënimi të formës së prerë. Devijimi i krejt përmbajtjes së këtij aktgjykimi të zyrtarizuar sot tek një element që nuk ka qenë objekt as i kërkesës sonë e as i Gjykatës Kushtetuese, nuk është gjë tjetër veçse dashakeqësi. Këto rrethana nuk mund të vlejnë në raste të tjera, për faktin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtueses nuk ka efekt prapaveprues në këtë rast”, ka shkruar Sallahu në Facebook. Ndaj përmbajtjes së aktgjykimit të Kushtetueses ka reaguar edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Haxhiu është në mesin e ish-deputetëve të cilët janë dënuar për hedhjen e gazit lotsjellës më 2018.
“Tentativa për të krijuar rrethana të paqena, të pabaza dhe të pasakta duke i futur të gjithë dhe të gjitha veprat në një thes është e papranueshme dhe e gabueshme. Ne çdo herë ju kemi paralajmëruar kur dikush ka tentuar të cenojë demokracinë dhe të drejtën, edhe pse kanë bërë obstruksione, në fund ka dalë ajo që kemi thënë dhe kështu do të jetë gjithnjë, sepse ne jemi krahu i së drejtës dhe kurrë s'kemi synuar diçka që nuk na takon! Këto ditë caktohet data e zgjedhjeve të reja që do të jenë manifestim solemn i demokracisë, ku Lëvizja Vetëvendosje, listës që do t'i prijë Albin Kurti, do të marrë mbështetjen e fuqishme popullore”, ka shkruar Haxhiu, ndër të tjera, në Facebook.
Me publikimin e këtij aktgjykimi, vendimi i Kushtetueses i marrë dy javë më parë hyn në fuqi, dhe rrjedhimisht Qeveria e udhëhequr nga Hoti është qeveri në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.