Arbëri

Rikonfirmohet ndalesa e kandidimit në zgjedhje të personave të dënuar

Hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend ia ka parë sherrin Lëvizja Vetëvendosje. Si pasojë e saj, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, nuk mund t’i prijë garës zgjedhore e as të jetë kandidat për deputet.

Kurti më 2018, së bashku me Albulena Haxhiun, Donika Kadaj-Bujupin e Faton Topallin, janë shpallur fajtorë për dy vepra penale, përdorimi i mjetit të rrezikshëm e pengimi i personit zyrtar.

Ndalimin e kandidimit të Kurtit dhe të tjerëve, këtë të mërkurë e ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese.

Në aktgjykimin e plotë, thuhet se ndalimi i personave të dënuar për të kandiduar nuk ka për qëllim “ndëshkimin e individëve të caktuar.. por mbrojtjen e integritetit kushtetues”.

“Rrjedhimisht, duke u bazuar në gjuhën e qartë të nenit 71.1 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nën paragrafit 6 të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata konsideron se asnjë person nuk mund të fitojë dhe të mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sikurse parashihet me këto dispozita, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse kundër tij/saj ka një vendim dënues që është në fuqi në Republikën e Kosovës”, thuhet te Vendimi/pika 298, faq. 62.

Në aktgjykim, Kushtetuesja argumenton edhe mosvlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.

Sipas saj, kandidimi i Arifit dhe zgjedhja e tij si deputet ndonëse ka qenë i dënuar shfaq paqartësitë dhe të metat serioze të mekanizmave të institucioneve të Kosovës.

Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se Kuvendi së bashku me Këshillin Gjyqësor e Komisionin Zgjedhor duhet të qartësojnë e të konsolidojnë bashkëpunimin e tyre dhe aspektet normative.

“Kjo është e domosdoshme për t’i shmangur situatat paradoksale, nga këndvështrimi kushtetues, ku një person, pasi është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë sikurse parashihet me nenet përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve, i lejohet të kandidojë në zgjedhje parlamentare, të zgjidhet deputet, t’i verifikohet mandati, si dhe të vazhdojë të ushtrojë funksionin e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, madje edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burgim. Ndërkohë që Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale, që të zgjedhën deputetë dhe ta ushtrojnë mandatin e deputetit”, thuhet te Vendimi/pika 303, fq. 63.

Se Kurti nuk mund të kandidojë e thonë edhe njohësit e Kushtetutës. Derisa e ka konsideruar si një ndër më profesionalët, ish-gjyqtari Kadri Kryeziu, thotë se nuk ka rëndësi nëse dënimi ndaj Kurtit e të tjerëve ka qenë me kusht.

“Ky dënim është në kuadër të aktgjykimit dënues, nuk është me rëndësi a është i dënuar me kusht me burgim efektiv. Kështu siç e parasheh është në përputhje me vendimin e gjykatës”, ka thënë ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kryeziu.

I të njëjtit mendim është edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Në një përgjigje për KOHËN, ai ka thënë se “Kushtetuesja ka rikonfirmuar atë që është thënë në vendimin e parë, se të gjithë të dënuarit në tre vjetët e fundit me vendim të formës së prerë nuk do të mund të kandidojnë për deputetë, përfshirë edhe Kurtin”.

Por, sipas ish-kryetarit të Kushtetueses, Enver Hasani, me aktgjykimin e publikuar të mërkurën, Kurtit i pamundësohet edhe gara për kryeministër.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, qartë ka qenë dhe është, sikur loti, që pos me vendim gjyqësor të formës së prerë nuk mund të merren të drejtat civile. Kjo me këtë aktgjykim u prish, nuk ekziston më si garanci kushtetuese. Nëse shkon çështja në Gjykatë sërish, me këtë standard të tanishëm, garant që nuk e lejojnë të jetë as kryeministër. Nuk ka interpretim tjetër tash e tutje”, ka thënë Hasani.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga Lëvizja Vetëvendosje, por nga Zyra për Media e kësaj partie kanë thënë se janë duke analizuar aktgjykimin e më pas do të dalin me një qëndrim zyrtar.

Me publikimin e këtij aktgjykimi, vendimi i Kushtetueses i marrë dy javë më parë, hyn në fuqi dhe rrjedhimisht Qeveria e udhëhequr nga Hoti, është qeveri në detyrë.

Pas marrjes së aktgjykimit, u.d. së presidentes duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga sot.