Arbëri

Serbia sot ndan 36 banesa pa leje për serbët në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë. Dhe puna e parë që do të bëjë është të ndajë 36 banesa të reja për çiftet e reja serbe në Mitrovicë të Veriut.

Sipas njoftimit nga Radio Kontakt, banesat janë në rrugën “Luj Braja” në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, ku banojnë edhe shqiptarët.

Banesat ndahen nga i ashtuquajturi organ i përkohshëm i Mitrovicës së Veriut, që në fakt është organ komunal paralel i atij të zgjedhur me ligjet e Kosovës.

Konkursi për ndarje të banesave për çiftet me mbi 10 vjet bashkëjetesë, është hapur tetorin e shkuar nga organi paralel i Mitrovicës së Veriut. Do të ndahen gjithsej 96 ndërtesa, të ngritura me fonde të Qeverisë së Serbisë dhe pa leje të organeve shtetërore të Kosovës.

Në fakt, ndërtimi në këtë pjesë ka kohë që paraqet sfidë për institucionet e Kosovës.

Shqiptarëve, shpesh u ndalohet të ndërtojnë në pronat e tyre, kurse serbët ndërtojnë pa leje urbanistike dhe të tjera të nevojshme.

Së fundi, telash për institucionet e Kosovës paraqiti edhe ndërtimi i një lagje të tërë me shtëpi në Zveçan - “Lugina e Diellit”, për serbët e zhvendosur.