Arbëri

Kryetari i Ferizajt: Po bëhet përpjekje që të lënduarit rëndë të dërgohen në Turqi

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se po bëhet përpjekje maksimale që të lënduarit në gjendje më të rëndë, të dërgohen për shërim në Turqi.

Ai tha se po punohet në lehtësim të procedurave.

Sot, si pasojë e një shpërthimi i një bombole gazi në Ferizaj, u lënduan 44 persona, e katër prej tyre është raportuar të jenë të gjendje më të rëndë.

“Pas vendosjes së kontakteve nga Komuna e Ferizajt bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor Klinik-Universitar të Kosovës dhe kërkesës tonë pranë Ambasadës së Turqisë në Kosovë, po bëhet përpjekje maksimale që për të lënduarit në gjendje më të rëndë, ta lehtësojnë procedurën për shërim në Republikën e Turqisë. Zemërthyer e të tronditur jemi sot, jo vetëm ne ferizajasit, nga vala e zjarrit e shpërthimi i fuqishëm që lëndoi dhjetëra qytetarë. Ferizaj do ta kapërcej edhe këtë plagë që nisi vitin”, ka thënë Aliu.

Ndërkohë, drejtori i Klinikës Intensive, Naim Baftiu, ka thënë për KOHË-n se të mërkurën do të mblidhet Komisioni për dërgimin e pacientëve jashtë vendit për shërim dhe aty do të vendoset nëse ndonjë nga pacientët do të dërgohet jashtë vendit.

“48 orë duhet të mbahen në Intensivë”, ka thënë ai.

E kryeprokurori Shukri Jashari ka thënë se dyshohet që shpërthimi ka ndodhur në mënyrë aksidentale.

“Kemi marrë provat nga vendi i ngjarjes. Nuk kemi intervistuar ende ndonjë person, siç e dini personat e lënduar janë ende duke marrë trajtim. Janë gjithsej 15 që janë dërguar në QKUK. Dyshohet se shpërthimi ka ndodhur në mënyrë aksidentale. Hetimet do të vazhdojnë ditëve në vijim për zbardhjen e gjithë rastit”, ka thënë Jashari për KOHËN.