Arbëri

Krasniqi: Pandemia është menaxhuar me sukses, shërbimet specialistike kthehen në janar

(KosovaPress) - Pavarësisht sfidave, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, vlerëson se në Kosovë është menaxhuar me sukses pandemia. Ai ka thënë se situata në fillim të janarit në vend do të kthehen edhe shërbimet të cilat ishin pezulluar shkaku i pandemisë më 2020.

Mungesa e barnave dhe oksigjenit si dhe riorganizimi i stafit e hapësirave në spitale ishin sfidat kryesore të vitit të shkuar, sipas Krasniqit.

“Pra, këto kanë qenë fushat kryesore që ne i kemi prioritizuar dhe jemi marrë në vazhdimësi për të arritur ta përballojmë fluksin e madh të pacientëve dhe e them pa modesti se ia kemi dalë me sukses të plotë asnjë pacientë që ka pasur nevojë për të marrë shërbime spitalore dhe për t’u shtrirë në spitale nuk ka mbetur pa u shtrirë në spital”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, edhe furnizimi me oksigjen aktualisht është në nivel të mirë.

“Ne qëndrojmë aktualisht mjaftë mirë, kemi arritur ta stabilizojmë furnizimin me oksigjen për shkak të punëve që i kemi kryer dhe jemi duke i vazhduar… Në të gjitha spitalet do kemi rezervarë të oksigjenit të lëngshëm dhe do zgjidhet njëherë e përgjithmonë çështja e furnizimit me oksigjen. Ky është një vendim i imi me grupin tim që kemi punuar kur e kemi parë nevojën për të kaluar nga furnizimi i oksigjenit me bombola të gazta në atë me sistem të lëngshëm. Për tri arsye oksigjeni i lëngshëm është më i qasshëm në tregun rajonal, mund të arrihet më shpejt dhe më lehtë, është shumë më i lirë sesa oksigjeni me bombola të gazta dhe kërkon fuqi punëtore shumë më pak… QKUK asnjë ditë të vetme nuk ka mbetur pa kontrata të oksigjenit, pra në gjithë kohën kemi pasur kontrata me operatorë të licencuar ato kontrata janë rinovuar tash kohëve të fundit ende pa përfunduar për shkak të kontratave të tilla dhe ne jemi furnizuar me oksigjen medicinal”, ka shtuar ai në një intervistë për KP-në.

E për shkak të situatës epidemiologjike në vend, shumë shërbime që nuk ishin urgjente dhe në veçanti shërbime në Ambulancat Specialistike ishin ndërprerë. Për këtë Krasniqi thotë se nga java e parë e janarit do rikthehen këto shërbime.

“Jemi të vetëdijshëm që është cenuar në njëfarë mënyre marrja e atyre shërbimeve, por jemi detyruar ta bëjmë një gjë të tillë. Ju e dini që edhe në fillim të pandemisë janë suspenduar shërbimet në ambulancat specialistike po ashtu edhe intervenimet apo operacionet kirurgjike, më pastaj pas situatës më të mirë u rikthyen ato shërbime për t’u pezulluar sërish gjatë muajve nëntor-dhjetor kur kishim numër të madh të rasteve. Ne këtë javë me komitetin e menaxhimit të pandemisë në nivel të SHSKUK-së e kemi analizuar situatën epidemiologjike në nivel vendi dhe jemi duke e përcjell me vëmendje numri e pacientëve nëpër spitalet tona dhe kemi planifikuar që qysh javën e parë menjëherë pas festave të fundvitit, të rikthejmë shërbime specialisitike dhe po ashtu me një plan gradual edhe rikthimin e operacioneve elektive”, është shprehur ai.

Për mungesën e barnave nëpër klinikat ku trajtoheshin pacientët me koronavirus, Krasniqi ka thënë se ka pasur mungesa të herëpashershme. Ka theksuar se s’ka pasur asnjëherë Remdesivir, ndërsa Favipiraviri ka qenë i pranishëm.

Kosova rastet e para me COVID-19, i ka regjistruar më 13 mars. Nga ajo kohë e deri tani pozitivë kanë rezultuar mbi 50 mijë qytetarë, ndërsa betejën me koronavirus e kanë humbur mbi 1300 person, e janë shëruar mbi 40 mijë qytetarë.