Ishte 13 marsi i 2020-s, ora 17 e 30 minuta, kur Kosova mori “goditjet” e para nga koronavirusi. E premtja e dytë e marsit të vitit paraprak u shënua me frikë e panik nga njerëzit, teksa u konfirmuan dy rastet e para me koronavirus në vend. Një 20-vjeçare italiane që jetonte dhe vepronte në Kosovë dhe një 77-vjeçar nga Vitia ishin bërë top-lajm në secilin muhabet.
Një ditë më parë, më 12 mars, Qeveria e Kosovës themeloi Komisionin e posaçëm për parandalimin e koronavirusit. Kabineti qeveritar vendosi të shpallë edhe emergjencë për shëndetin publik. U mbyllën kufijtë tokësorë, u pezulluan fluturimet ajrore dhe u ndalua transporti urban e ndërurban.
Pas kësaj institucionet vendosën që të bëhet edhe kufizimi i lëvizjes për qytetarët.
Ndërkohë, te qytetarët frika rritej teksa rastet shtoheshin. Muaji mars u përmbyll me një vdekje nga COVID-19 e me rreth 100 raste të të infektuarve.
Por edhe gjatë muajve prill- deri në tetor numri i rasteve po shtohej. Rreth 20 mijë raste të reja të infektimeve, e 674 viktima nga COVID-19 u regjistruan deri në fund të muajit tetor.
Kufizimet e lëvizjes së qytetarëve vazhduan, por me një orar më fleksibil, dhe filluan të lejoheshin disa veprimtari të cilat deri atëherë ishin të ndaluara.
Me fillimin e verës, masat sa vinin e lehtësoheshin edhe më shumë.
Por, ndryshimi i udhëheqjes së ekzekutivit dhe ardhja në pushtet e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së që në fillim u karakterizuan me ndryshimin e të gjitha masave anti-COVID.
Hoti hoqi që të gjitha ndalesat, përveç ruajtjes së distancës, mbajtjes së maskave.
Nga 8 qershori, Qeveria e Kosovës vendosi që ta heqë orarin e kufizimit të lëvizjes të qytetarëve, që ishte nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Në vendimin e ri u përfshi edhe përpilimi i një manuali për mbrojtjen nga COVID-19.
Vetëm disa ditë më vonë u hap edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, për të vazhduar me fluturimet e rregullta.
Nëntori shënoi edhe rekordin e të infektuarve dhe të vdekurve nga COVID-19 në Kosovë. 335 qytetarë humbën jetën nga koronavirusi, e mbi 19 mijë e 700 persona u konfirmuan me virus gjatë këtij muaji.
Nga rreth 500 mostra që testoheshin brenda 24 orëve deri tash, ato shkuan në mbi 2 mijë në muajin nëntor.
Pavarësisht rritjes së numrit të testimeve, sipas statistikave, në 10 muaj përballje që nga rastet e para u testuan më pak se 10 për qind e popullsisë.
Edhe në muajt e vjeshtës kosovarët u përballën me mbyllje të disa bizneseve e me masa kufizuese, ku edhe njëherë qarkullimi i lëvizjes u ndalua për disa orë në ditë.
Numrat vazhdimisht po rriten, e edhe vdekjet nga virusi nuk po ndalen.
Edhe muaji i fundit i vitit me përballjen me koronavirus po shënonte mijëra infektime e qindra vdekje.
Qytetarët të cilët tashmë po bashkëjetojnë me virusin, dikush me më shumë e dikush me më pak frikë e kujdes, përveç me ngërçin politik në institucione, përmbyllën vitin 2020 si aspak të zakonshëm në të gjitha aspektet.
“Maska, distanca e higjiena”, ishin 3 fjalët që e karakterizuan vitin 2020, e siç duket do ta karakterizosjnë edhe një pjesë të vitit 2021.