Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar Bashkimin Evropian për siç tha ai, diferencimin që i bëri Ballkanit me rastin e shpërndarjes së vaksinave anti-COVID. Megjithatë, sipas tij, vaksinimi në Shqipëri do të nisë në janar.
Ai, përmes një postimi në Tëitter, tha se është nënshkruar marrëveshja me kompaninë Pfizer.
“Në kushtet skajshmërisht të vështira si pasojë e kërkesës globale marramendëse dhe sasisë ende tejet të vogël të prodhimit, kemi dakordësuar në parim pas kontaktesh intensive nga të katër anët, tekstin e marrëveshjes me Pfizerin për të nisur vaksinimin në janar! I papranueshëm moralisht, politikisht, logjikisht diferencimi që BE-ja i bëri Ballkanit, po ia dolëm sidoqoftë me diplomaci e me këmbëngulje të mos mbetemi mbrapa askujt. Dhe nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit”, ka shkruar Rama.
Vaksinimi për shtetet e varfra dhe me zhvillim të mesëm është paralajmëruar se do të jetë i vështirë në vitin 2021.