Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se ka mundësi që partia e saj të garojë në një listë të përbashkët me Vjosa Osmanin në zgjedhjet parlamentare.
Nagavci ka thënë për Euronews Albania se nuk beson që do të ketë koalicioni me parti të tjera, duke besuar se VV-ja do e fitojë shumicën në Kuvend.
“Ne besojmë që do të garojmë bashkërisht në këto zgjedhje dhe do të fitojmë shumicën. Nuk besoj se do të kemi koalicion. Jam e bindur që nuk do të kemi me ndonjë parti, të paktën prej këtyre partive që kanë qenë në qeverisje”, ka shtuar ajo.
Nënkryetarja e Kuvendit ka deklaruar se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt për faktin se do sjellin një legjitimitet të ri në institucionet e Kosovës.
“Për fat keq është se kësaj radhe zgjedhjet po mbahen shumë shpesh. Ka një kohë të gjatë që në Kosovë nuk ka një qeveri stabile, që të ketë një mandat të plotë, por kjo në këtë radhë është e mirëseardhur se e konfirmoi Gjykata Kushtetuese. Në realitetin aktual, ku ne aktualisht nuk kemi kryeministër sepse sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese z.Hoti asnjëherë nuk ka qenë kryeministër dhe Qeveria Hoti aktualisht nuk më është një qeveri legjitime. Sa më shpejt që të mbahen zgjedhjet, do të sjellin një legjitimimet të ri të institucioneve në Kosovë”, është shprehur Nagavci.