Arbëri

PDK-ja vendos kushte për votimin e buxhetit

Kuvendi i Kosovës të hënën pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e Projektligjit të buxhetit për vitin 2021. Kërkesa për të mos shkuar në zgjedhje pa aprovimin e buxhetit është bërë nga Grupi parlamentar i LDK-së dhe është nënshkruar nga 40 deputetë. Grupi parlamentar i PDK-së ka thënë se do ta mbështesë buxhetin nëse në të përfshihet mbështetja financiare për nenet që kanë kaluar në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike

Projektligji për buxhetin e vitit 2021 do t’i ballafaqojë për herë të fundit forcat politike në Kuvend para se vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Shqyrtimi i këtij projektligji do të bëhet në seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga deputetët e partive në pushtet. Mbështetje ka premtuar edhe Partia Demokratike e Kosovës, por me disa kushte.

Zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi, ka thënë se do të ndjekin parimin, ashtu siç kanë bërë me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike.

“Vota jonë do të jetë e kushtëzuar që ligji për buxhet t’i parashohë edhe mekanizmat financiarë që i kemi futur në Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike. Është e domosdoshme pasi nëse shkojmë në zgjedhje pa buxhet të definuar qartë për këto kategori. Ne i rrezikojmë drejtpërdrejt jo vetëm ekonominë e vendit, por edhe familjet në nevojë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, ndryshimet janë të domosdoshme dhe ka ftuar të gjitha partitë që para shpalljes së zgjedhjeve të mos i braktisin qytetarët nga aspekti financiar.

“Për PDK-në është e papranueshme që të shkojmë në zgjedhje me një buxhet të gabuar, ose pa buxhet fare. Ne jemi për një zgjidhje, të ulemi të diskutojmë për një zgjidhje dhe t’i fusim mekanizmat financiarë që kanë stabilitet për vendin”, ka theksuar ai.

Nenet që ka propozuar PDK-ja në Ligjin për rimëkëmbje kërkojnë ndryshime të thella buxhetore, për të cilat duhet një bashkëpunim me Qeverinë.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se për këtë duhet të bëhet ndryshim i të hyrave dhe shpenzimeve të parapara në buxhetin. E sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, Kuvendi nuk ka mundësi që t’i rrisë kufijtë buxhetorë.

Krasniqi ka thënë se në rast se dëshirojnë t’i përfshimë këto rritje të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike në buxhet, duhet që Qeveria të dalë me propozim se si të ndryshohet pjesa e të hyrave, pasi siç ka thënë kufijtë nuk mund të rriten.

“Duhet të amendamentohen të hyrat dhe shpenzimet dhe kufiri i përgjithshëm, që kërkon një bashkëpunim mes Kuvendit dhe Qeverisë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se janë të gatshëm që në momentin që shqyrtohet në Kuvend të dërgojnë tabelën e re mbi kërkesat që dalin nga ligji për rimëkëmbje ekonomike dhe ligji për buxhet të shkojë me ato ndryshime.

Megjithatë, Ligji për rimëkëmbje ekonomike ka krijuar një kontradiktë për shkak se përveç shpenzimeve që rriten për ndihmën e sektorit privat, ka rënie edhe të të hyrave buxhetore nga disa nene të propozuara në të, siç janë lirimi nga pagesa i rentës minerare dhe mbulimi i tarifës së energjisë së ripërtëritshme, shuma e të cilave është afro 30 milionë euro.

Vetëvendosje ka thënë se Kuvendi si institucion nuk komunikon me një qeveri që është në detyrë.

Projektbuxheti për 2021 është miratuar në Qeveri në fund të nëntorit, megjithatë ende nuk është aprovuar në Kuvend. Ai parashihet të ketë mbi 200 milionë euro më pak krahasuar me buxhetin e vitit aktual. Kjo pasi buxheti i këtij viti ka përfshirë rritjen e deficitit bankar që është lejuar me vendim të Kuvendit, si dhe rritjen e borxhit publik.

Shkuarja në zgjedhje të parakohshme pa miratim të tij rrezikon që Kosova të mbetet pa buxhet në fillim të muajit mars. Nëse ligji nuk miratohet në këta dy muaj, atëherë organizata buxhetore nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për buxhetin.

Kjo do të bllokojë funksionimin në sektorin publik, por do të ndikonte edhe në sektorin privat shkaku i bllokimit të ndihmës së paraparë për rimëkëmbje nga pandemia.