Arbëri

Osmani e Daka diskutojnë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme

Përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ishte tema e diskutimit që të enjten ka pasur ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Sipas njoftimit, Osmani ka njoftuar Dakën për takimet që ka pasur me subjektet politike. Ajo e ka njoftuar se do të caktojë datën e zgjedhjeve menjëherë sapo që aktgjykimi i Kushtetueses të hyjë në fuqi.

Në njoftim theksohet se Osmani e ka potencuar rëndësinë e veprimeve të shpejta për procesin e votimit për mërgatën.

“Sipas u.d. Presidentes Osmani, bashkatdhetarëve tanë duhet t`u ofrohet sa më shpejtë mundësia për t`u regjistruar për votim, në mënyrë që të kenë kohë të mjaftueshme që votat e tyre të arrijnë në KQZ sipas afatit të paraparë”, thuhet në njoftim.

Të hënën Kushtetuesja vendosi se vota e deputetit Etem Arifit për zgjedhjen e Qeverisë Hoti ishte e pavlefshme dhe çoi vendin në zgjedhje të parakohshme. Vota e Arifit kishte qenë vendimtare për zgjedhjen e Avdullah Hotit kryeministër më 3 qershor. Sipas vendimit, një person i dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, s’mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvend.