Me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve nënshkrues, të hënën e 28 dhjetorit do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për buxhetin e vitit 2021 dhe për marrëveshje ndërkombëtare që janë në procedurë në Kuvendin e Kosovës. Në njoftimin publik për këtë seancë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shkruar se pas këtyre votimeve vendi mund të shkojë në zgjedhje.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se seanca do të mbahet me fillim prej orës 11:00.
Në arsyetim thuhet se “duke u nisur nga rrethanat e krijuara politike dhe pasojat juridike, si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin KO 95/20, si dhe duke marrë në konsideratë nevojën që vendi të ketë siguri financiare dhe ekonomike, ne nënshkruesit e kësaj kërkese për seancë të jashtëzakonshme e konsiderojmë të nevojshme votimin e ligjit për ndarjen buxhetore, si dhe Marrëveshjeve Ndërkombëtare të cilat janë në procedurë kuvendore”.
Ndërkaq, Bekim Kupina, këshilltar për media i kryeparlamentares Vjosa Osmani, ka thënë se asaj, deri në orën 16:00, nuk i ka ardhur asnjë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme.
LDK-ja, që udhëheq me Qeverinë, po kërkon që buxheti të miratohet para se të mbahen zgjedhjet e reja, të cilat janë kërkuar nga Kushtetuesja, bazuar në aktgjykimin për votën e deputetit Etem Arifi.
E shpërndarja e Kuvendit rrezikon ta lërë Kosovën edhe pa buxhet në muajin mars. Më 30 nëntor, Qeveria e kishte bartur Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, dhe ai i është proceduar Kuvendit, por nuk është votuar ende. Procedura për nxjerrjen e një ligji të ri të buxhetit do të merrte shumë kohë. Në momentin kur shpërndahet Kuvendi ose puna e tij pezullohet, të gjitha nismat ligjore u kthehen sponsoruesve përfshirë edhe Projektligjin për buxhetin dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.