Arbëri

BQK: Pritet rënie ekonomike prej 7.2%

Ekonomia e Kosovës pritet që të ketë një rënie ekonomike prej 7.2%, që paraqet rënien më të madhe në 20 vitet e fundit.

Kështu ka bërë të ditur Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, gjatë konferencës së fundvitit.

"BQK ka arritur me sukses të realizojë të arriturat e saj duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, dhe bëri që sektori financiar të jetë shtyllë kryesore për bizneset. Edhe në Kosovë masat e ndërmarra ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejt në ekonomi dhe sipas parashikimeve ekonomia e Kosovës pritet që të shënoj një rënie prej 7.2% që paraqet rënien më të madhe në 20 vitet e fundit”, tha ai.

Tutje, Mehmeti ka shtuar së në rënien ekonomike në vend ka ndikuar edhe mbyllja e kufijve ndërmjet vendeve.

“Pavarësisht se edhe ata u ballafaquan me pandeminë, vlera e remitencave ka arritur në mbi 796 milionë euro. Ndikim të rënies ekonomike shkaktuan edhe masat e mbylljes së kufijve me vendet e tjera deri në shtator shpenzimet e jo residentëve në Kosovë ishin 470 milionë euro. Në këtë kohë të vështirë për ekonominë vlera e remitencave ishte mbi 796 milionë euro. Me rënie u karakterizua edhe importi i shërbimeve duke shënuar rënie prej 44.7%, vlera e përgjithshme e eksportit ishte 1.1 miliard. Një rritje prej 22,4% kanë pasur edhe llogarit që kanë qasje në E-Banking", ka shtuar Mehmeti.

Ndërsa sektorin bankar pandemia e gjeti në gjendje të shëndoshë dhe sipas Mehmeti kjo bëri që të ketë rol kyç në rimëkëmbjen ekonomike.

"Kriza ekonomike sektorin bankar e gjeti në një gjendje të shëndoshë, dhe kjo bëri që sektori bankar jo vetëm të arrij t’i përballoj rreziqet por edhe të ketë rol kyç në rimëkëmbjen ekonomike", shtoi tutje.