Arbëri

Kosova pa masa parandaluese për përhapjen e variantit të ri të virusit

Pak ditë pasi disa vende të botës kanë njoftuar për një formë të re të koronavirusit Sars Covid 2, Kosova nuk ka marrë ende asnjë masë parandaluese.

Vendi ku është zbuluar varianti i ri, Mbretëria e Bashkuar, ditët e fundit ka marrë masa të ashpra izolimi, ndërsa shumë vende të tjera përfshirë edhe ato fqinje, si Shqipëria e Maqedonia, tashmë i kanë ndaluar fluturimet me këtë shtet.

Ministri Armend Zemaj pas një takimi koordinues më përfaqësuesit e institucioneve që merren me mbikëqyrjen e situatës epidemiologjike, ka thënë se Kosova do të marrë masa, pas vlerësimeve shkencore që do të bëhen, por pa dhënë detaje së kur një gjë e tillë mund të ndodhë.

“Pas informacioneve për variantin e ri të koronavirusit, menjëherë janë angazhuar kapacitetet në IKSHPK për të bërë vlerësimet shkencore për gjetjet dhe konform tyre do të merren vendimet për kufizime, përfshirë për shtetet veç e veç”, ka pohuar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Për ta kontrolluar përhapjen e këtij varianti të koronavirusit, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, u ka bërë thirrje qytetarëve që vinë nga shtetet e tjera të testohen sa më shumë në IKSHPK.

“Duke qenë se aktualisht kemi mungesë të provave në shkallë botërore, për të treguar shkallën në cilën është përhapur virusi jashtë Britanisë së Madhe nevojitet përpjekje në kohë për të parandaluar dhe kontrolluar përhapjen e saj. Si dhe masat të cilat duhet të ndërmerren. IKSHP-ja së bashku me MSH-në po bëjnë përpjekje që të nxisin të gjithë qytetarët që të testohen, dhe ata që kanë nevojë për çdo rast të dyshimtë, duke pasur parasysh edhe rastin e ri, sepse laboratori i IKSHP-së diagnostikon rastet e SAR-COV2 edhe me këtë mutacion, pa u komprometuar në asnjë moment pra diagnoza”, ka deklaruar Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së.

Ky variant i ri i koronavirusit, sipas Agjencisë Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), përhapet me shpejtësi më të madhe për 70 për qind krahasuar me të vjetrin.

Në Kosovë është shënuar rënie e numrit të rasteve me variantin e vjetër të koronavirusit, por vdekjet po vazhdojnë. Në 24 orët e fundit janë shënuar 6 vdekje, ndërsa nga 990 testime, pozitivë kanë rezultuar 264 persona. Ndonëse shifrat e të infektuarve janë ulur, në konferencën e mbajtur të hënën nuk ka pasur paralajmërim për ndryshim të masave.