Arbëri

MASH shpalli fituese organizatat që s’i plotësuan kriteret, anulohet konkursi

Foto: Driton Paçarada / Koha

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka anuluar një konkurs të shpallur muaj më parë për financimin e OJQ-ve që përkrahin fëmijët me aftësi të jashtëzakonshme. Kjo ka ndodhur meqë Komisioni vlerësues kishte shpallur fituese edhe organizata që nuk i plotësuan kriteret. E organizatat që e kanë mision përkrahjen e këtyre fëmijëve thonë se po dëmtohen pa të drejtë për shkak të shkeljeve që i lejoi vetë Ministria gjatë procesit

Prishtinë, 20 dhjetor - Tre muaj pasi shpalli fituese 11 organizata joqeveritare në thirrjen publike për financimin e projekteve që përkrahin nxënësit me aftësi të jashtëzakonshme, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka anuluar këtë konkurs. Gjatë këtij procesi, fituesit e të cilit janë shpallur në shtator, Ministria nuk e ka respektuar Rregulloren mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, e as konkursin.

Sipas rregullores, OJQ-të aplikuese duhet të dëshmojnë se kanë përvojë në realizimin e projekteve të ngjashme në të kaluarën. Ndërkaq, konkursi kërkonte që OJQ-të aplikuese të dëshmojnë se programi i tyre i punës është i fokusuar në ndonjërën nga fushat prioritare të thirrjes publike. Megjithatë, në listën e organizatave fituese ka të tilla që merren me çështje të ambientit, çështje kulturore e të sportit.

Shembull, organizata “Green A”, sipas të dhënave zyrtare, mision ka angazhimin e rinisë për mbrojtjen dhe ruajtjen e ambientit dhe mjedisit përmes aktiviteteve kulturore dhe sportive. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë themeluesi i saj, Armend Hoti.

“Çështja e misionit të organizatës është rini, kulturë dhe ambient. Komisioni na ka vlerësuar, sipas komisionit janë përmbushur të gjitha kriteret. Ndërkaq, projekte të ngjashme më herët nuk kemi pasur”, është shprehur ai.

Po ashtu, në konkurs kërkohej që organizatat fituese të jenë të regjistruara së paku një vit para thirrjes publike, mirëpo një nga organizatat fituese është regjistruar më pak se një vit para thirrjes. Bëhet fjalë për “Qendrën për edukim, hulumtime dhe trajnime “Konica”, e regjistruar më 23 shtator 2019. Ndërkaq, thirrja publike për aplikim të këtij projekti në MASH ka qenë në korrik, 10 muaj pas themelimit të saj.

Themeluesi i kësaj OJQ-je, Arbër Morina, ka thënë se i kanë plotësuar të gjitha kriteret për të qenë përfitues. Vite më parë ai ka qenë këshilltar në Ministrinë e Arsimit. Por, sipas tij, kjo nuk ka ndikuar që organizata e tij të shpallet fituese.

“S’e di për besë saktësisht a i ka 1 vit a jo prej themelimit. Si do të kisha ndikim kur në atë ministri kam punuar në vitin 2016, s’kam pasur asnjë lidhje. Krejt çka është kërkuar ne i kemi plotësuar”, ka deklaruar Morina.

Një tjetër shoqatë fituese e projektit është “Kodi i jetës”, themelues i së cilës është Sedat Kalimashi. Ai në rrjete sociale shihet se është përkrahës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë së ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

Mirëpo, Kalimashi ka thënë se tash e 3 vjet nuk është pjesë e kësaj partie, ndonëse sipas publikimeve në rrjetet sociale ai figuron se ka qenë i angazhuar në fushatën e vitit 2019 në përkrahje të AAK-së.

“Unë nuk jam aktiv që dy vjet, kam dhënë dorëheqje. Ne i kemi plotësuar kriteret në këtë konkurs, jemi njerëz profesionistë. Merremi për përkrahjen e njerëzve me aftësi të kufizuara dhe grupet e margjinalizuara”, ka thënë Kalimashi.

Vlera totale e thirrjes publike të Ministrisë ka qenë 175,000.00 euro. Sipas listës së fituesve, 25 mijë euro MASH-i ia kishte ndarë Shoqatës së Matematikanëve, 18 mijë Institutit “Atomi” dhe 13 mijë Shoqatës Kosovare të Fizikës, të cilat tash e disa vite merren me përkrahjen e fëmijëve me aftësi të jashtëzakonshme. Këto organizata janë pjesë e garave ndërkombëtare ku e përfaqësojnë Kosovën si shtet në olimpiada të ndryshme.

Ndërkaq, 120 mijë euro Ministria i ka ndarë për 8 organizata të tjera.

Sipas listës së rezultateve, shoqatës “Kodi i jetës”, MASH ia kishte ndarë 22 mijë euro, organizatës “Konica” 17 mijë euro, OJQ-së “Trimi” 17 mijë euro, organizatës “Green A” 13 mijë euro, organizatës “IZHE” 13 mijë euro, OJQ-së “Avoko” 13 mijë euro, Forumit për Integrim Social 13 mijë euro dhe OJQ-së “Crystal” 12 mijë euro.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Matematikanëve, Valmir Krasniqi ka, thënë se MASH-i pa të drejtë vendosi që 80 për qind të mjeteve t’i ndajë për OJQ-të që nuk i plotësojnë kriteret dhe i dëmtoi organizatat që tash e disa vite i përkrahin fëmijët me aftësi të jashtëzakonshme. Thotë se kanë bërë ankesë në MASH rreth këtij procesi, por nuk kanë marrë përgjigje.

MASH, sipas tij, nuk është dashur ta anulojë konkursin, por vetëm t’i përjashtojë organizatat që nuk i kanë plotësuar kriteret.

“Tani ata dëshirojnë të na hakmerren neve për shkak se e kemi ngritur këtë shqetësim dhe ato fonde që u takojnë fëmijëve me dhunti e talente tash këtë vit ka gjasë që nuk shfrytëzohen pikërisht për shkak të neglizhencës që ua ka bërë administrata brenda Ministrisë”, ka deklaruar ai.

Krasniqi e quan të papranueshëm faktin që Ministria ua përgjysmoi fondet OJQ-ve që, përveçse përkrahin me vite fëmijët më aftësi të jashtëzakonshme, janë edhe pjesëmarrëse në gara ndërkombëtare.

“Tashmë është koha kur shoqatat marrin pjesë në olimpiada ndërkombëtare, ku e përfaqësojnë shtetin dhe anulimi për këtë vit do të thotë mungesë e madhe e mbështetjes financiare për organizime teknike e përmbajtjesore. Kërkojmë që MASH të zbatojë ligjin, rregulloren në fuqi dhe t’i ndëshkojë të gjitha organizatat që nuk kanë përvojë, nuk kanë mision dhe as nuk e kanë qëllim për t’i mbështetur talentet”, ka shtuar ai.

Shoqata e Matematikanëve, në ankesën që e ka dorëzuar në MASH, ka paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren veprimet e duhura do t’i bojkotojnë të gjitha aktivitetet me karakter ndërkombëtar ku përfaqësohet Republika e Kosovës.

E kryetari i Shoqatës Kosovare të Fizikës, Sadik Bekteshi, ka thënë përmes telefonit se janë të shqetësuar që tash e një kohë nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Ministria rreth këtij procesi. Ai, po ashtu, është ankuar për shumën e vogël që MASH e kishte paraparë për ta.

“Granti ka qenë shumë i vogël, unë u kam thënë se as për bileta të aeroplanit s’mjafton ajo. Kemi bërë një ankesë dhe nuk kemi marrë përgjigje. Procesi nuk është normal, ajo dihet, nuk mund ta zgjidhin një problem për 2-3 muaj”, ka deklaruar Bekteshi.

Për listën fituese të publikuar nga MASH kishte shprehur shqetësim edhe themeluesi i Institutit “Atomi”, Jusuf Thaçi. Ai, në një postim në Facebook, kishte shkruar se Ministria ka nisur komprometimin e këtij procesi duke keqpërdorur fondet, duke bërë shkelje të legjislacionit në fuqi si dhe duke keqpërdorur fondet publike.

“Përveç tri organizatave (Instituti ATOMI, Shoqata e Matematikanëve të Kosovës-SHMK dhe Shoqata Kosovare e Fizikës-SHKF), tetë organizatat e tjera përfituese nuk e kanë fare në misionin e qëllimin e tyre këtë kategori të nxënësve. Si të tilla, këto organizata as nuk do të duhej të shqyrtoheshin nga komisioni, lëre më të përzgjidheshin si përfituese të fondeve publike për një fushë që nuk e kanë as mision, as qëllim”, shkruante ai.

Sipas Thaçit, konkursi është i manipuluar dhe vendimi i Komisionit është kundër legjislacionit dhe kundër kritereve të thirrjes publike.

“Këto tetë organizata nuk kanë asnjë arritje a sukses, as vendor e as ndërkombëtar, në këtë fushë apo me këtë kategori të nxënësve. Pavarësisht kësaj, këto organizata janë barazuar e përkrahur ngjashëm me organizatat e tjera që e kanë mision e qëllim pikërisht këtë kategori të nxënësve, që kanë përvojë 10-vjeçare në këtë fushë dhe me këtë kategori të nxënësve, si dhe që kanë njohje, certifikim dhe suksese ndërkombëtare”, shkruante Thaçi duke bërë thirrje që të ndalen manipulimet.

Ministri Ramë Likaj, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se nuk ka raport të detajuar për këtë çështje, por ka kërkuar transparencë të plotë, respektim të kritereve dhe legjislacionit në fuqi. E sekretari i Ministrisë, Agim Bërdyna, vetëm e ka konfirmuar shkurt se e ka anuluar konkursin pa dhënë detaje.