4 perditesime
14:47

Ndërpritet seanca e Kuvendit shkaku i protestave të VV-së ndaj Selmanajt

Deputetët e Vetëvendosjes kanë protestuar sërish në Kuvend kundër Driton Selmanajt.

Me t’u rikthyer seanca e Kuvendit në ora 14:30 deputetët e Vetëvendosjes kanë përsëritur thirrjet e tyre kundrejt Selmanajt “jashtë, jashtë”.

Thirrjeve të nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci për të mbajtur qetësi dhe për të krijuar kushte për punë.

Nagavci ka thënë se në këto rrethana nuk mund të vazhdohet dhe duke qenë se nuk ka kuorum.

“I ndërprerjmë punimet dhe ju njoftojmë pas mbledhjes së kryesisë”, ka thënë Nagavci.

13:49

Nagavci: Nëse krijohen kushtet, Kuvendi i vazhdon punimet në ora 14:00

Seanca e re Kuvendit të Kosovës lidhur me interpelancën me kryeministrin Hoti për çështjen e Ujmanit do të fillojë në ora 14:00 “nëse krijohen kushtet”.

Kështu ka thënë për KOHËN kryesuesja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.

“Nëse krijohen kushtet në ora 14:00 fillon seanca e re”, ka thënë Nagavci shkurt.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës i filloi punimet në ora 10:30 ndërsa ato u ndërprenë pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk lejuan që ajo të vazhdojë nën prezencën e zv/kryeministrit Driton Selmanaj. Në rend të ditës ishin pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.

Kuvendi nuk arriti të ketë vendimmarrje për asnjë nga pikat e papërfunduara qysh nga 7 gushti e deri më 27 nëntor, përshirë projektligjin për mbrojtjen e vlerave e luftës së UÇK-së e të propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

10:54

Protestojnë deputetët e VV-së pas futjes në sallë të Selmanajt, Kuvendi në pauzë

Grupi parlamentar i Vetëvendosjes përmes zhurmës së krijuar dhe brohoritjeve “jashtë” nuk kanë lejuar vazhdimin e seancës së Kuvendit, çka ka bërë që organi legjislativ të shkojë në pauzë.

Ata këtë veprim e bënë pasi u hodh në parim votimi i Projektligjit nr. 07/L-018 për ndryshim plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete.

Protesta e tyre erdhi pas hyrjes në sallë të Driton Selmanajt, zëvendëskryeministër.

Deputetët e VV-së më herët kishin thënë se nuk do të lejojnë vazhdimin e asnjë seance ku i pranishëm do të jetë zv.kryeministri Driton Selmanaj, pasi i kishin vlerësuar fyese deklaratat e tij për të pagjeturit.

Përmes një postimi në Facebook deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, ka konfirmuar këtë protestë ndaj Selmanajt.

“Si Grup Parlamentar kemi vendosur që të refuzojmë të lejojmë vazhdimin e çfarëdo seance plenare ku është i pranishëm Driton Selmanaj. Për ne si Lëvizje, ky njeri është i papranueshëm në Kuvend! Çështja e të pagjeturve nuk është çështje e një subjekti politik apo individi të caktuar, por është problem dhe dhimbje që prek të gjithë qytetarët e kësaj Republike”, ka shkruar Basha.

Ai ka krahasuar qëndrimet e Selmanajt me ato të Jabllanoviqit.

“Qëndrimet e Jabllanoviqit dhe Driton Selmanajt nuk kanë hapësirë në sferën publike, dhe prandaj është krejtësisht e domosdoshme kërkesa e gjithë qytetarëve, pa dallim subjekti, që Driton Selmanajn duhet ta pretë fati i njëjtë si i Jabllanoviqit, pra shkarkimi i menjëhershëm”, ka shkruar ai.

Organi legjislativ i vendit ka shkuar në pauzë deri në orën 11 e 30, ka njoftuar kryesuesja e Kuvendit Arberie Nagavci.

Ndryshe Kuvendi nuk arriti të ketë vendimmarrje për asnjë nga pikat e papërfunduara qysh nga 7 gushti e deri më 27 nëntor.

10:35

Seanca e Kuvendit nis me një orë vonesë, jep betimin deputeti i ri Taulant Kryeziu

Me një orë vonesë ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës.

Në rend të ditës janë dy seanca: interpelanca e kryeministrit Hoti për Ujmanin dhe seanca tjetër ku do të shqyrtohen pikat papërfunduara të rendit të ditës.

Taulant Kryeziu nga Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë betimin si deputeti më i ri i Kuvendit të Kosovës.

Kryeziu zëvendëson Shpejtim Bulliqin, i cili u zgjodh kryetar i komunës së Podujevës në zgjedhjet që u mbajtën më 29 nëntor.

Seanca do të vazhdojë me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.

08:17

Kuvendi sot shqyrton 48 pikat e mbetura nga seancat e shkuara

Saktësisht 48 pika të papërfunduara nga seancat plenare të mëhershme do të shqyrtohen sot, 18 dhjetor, në Kuvendin e Kosovës.

Seanca, e cila pritet të nisë në orën 9:00, do të mbledhë deputetët për pikat të cilat s’kanë arritur t’i përfundojnë as në seancat e mbajtura në muajin gusht.

Shumë herë në këtë legjislaturë deputetët janë kritikuar për mospërfundim të pikave të rendit të ditës në seancat plenare. Shumica e votimeve kanë dështuar në mungesë të kuorumit.

Ky është rendi i ditës për seancën e parë plenare:

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 16, 21, 29 tetor dhe 27 nëntor 2020:

1. Votimi i Projektligjit nr. 07/L-025 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit,

2. Votimi i Projektligjit nr. 07/L-035 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,

3. Votimi i Projektligjit nr. 07/L-036 për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan,

4. Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-037 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,

5. Votimi në parim i Projekt Kodit Civil të Republikës së Kosovës nr. 07/L-019.

Pikat e papërfunduara nga Seancat plenare të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25, 28 shtator, 8, 16, 29 tetor dhe 27 nëntor 2020:

Votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së,

Votimi i Propozim-rezolutës nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,

Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 8, 12, 16, 29 tetor dhe 27 nëntor 2020:

Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-018 për ndryshim plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete,

Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, mbështetur edhe nga 8 deputetë të GP të PDK-së, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 21,29 tetor dhe 27 nëntor 2020:

Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me pezullimin njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare,

Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”,

Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin të Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e Kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 29 tetor, 2, 3 dhe 27 nëntor 2020:

1. Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-021 për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës,

2. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës,

3. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbaj të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur.

VI. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare e mbajtur më 13 dhe 27 nëntor 2020:

Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së 8 deputetëve të GP të LVV-së, në lidhje me shfuqizimin e Task-forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës.

VII. Pikat e papërfunduar nga seanca plenare e mbajtur më 12, 19, 23 dhe 27 nëntor 2020

Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”,

Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-033 për të Drejtën Ndërkombëtare Private,

Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-027 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social,

Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-028 për Inspektoratin e Punës,

Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-038 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,

Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-012 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256,

Shqyrtimi i Raportit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019,

Votimi i Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2019,

Votimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për raportin e auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2019,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2019.

VIII. Pikat e papërfunduar nga seanca plenare e mbajtur më 30 nëntor 2020:

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 07/L-005 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.03/L048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.03/L-221, me Ligjin nr.04/L-116, me Ligjin nr.04/L-194, me Ligjin 05/L-063 dhe me Ligjin 05/L-007,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-043 për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë,

Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024,

Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, për vitin 2019,

Votmi i Raportit vjetor të Akademisë së Drejtësisë, për vitin 2019,

6. Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2019,

7. Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2019,

8. Votimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2019,

9. Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2019,

10. Votimi i Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2019.

IX. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, mbajtur më 10 dhe 11 dhjetor 2020:

Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, e nënshkruar edhe nga nëntë (9) deputetë tjerë, në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”,

Votimi në parim i Projektligjit nr. 07/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-015 për letërnjoftim,

Votimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për vitin 2019,

Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2019,

Votimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2018,

Votimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2019,

Shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019,

Votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës senzibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi, të mbështetura nga 8 deputetë tjerë,

Emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT,

Zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit,

Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Të premten po ashtu do të mbahet një seancë e re plenare, me fillim prej orës 11:00. Aty është i ftuar në interpelancë kryeministri Avdullah Hoti për çështjen e “përfshirjes dhe ndarjes së liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”.

Rendi i ditës

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes ​Vetëvendosje për çështjen: “Përfshirja dhe ndarja e Liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 07/L-029 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-089 për deminim humanitar,

Shqyrtimi i Raportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2019,

Shqyrtimi i Kërkesës së Fondit të Kursimeve Personale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2019,

Shqyrtimi i Raportit Vjetor i Komisionit për Ndihmë Shtetërorë për vitin 2019.